Beteja të vërteta në Superiore dhe Kategorinë e Parë. Kalendari ka rezervuar sfida zjarri, që luhen në Laç e Ballsh. Kurbinasit presin Partizanin dhe duan fitoren për t’i parakaluar të kuqtë në renditje. Sigurisht kampionët në fuqi shkojnë në këtë transfertë me objektiva dhe do hahen “dhëmb për dhëmb” me bardhezinjtë.
“Adush Muça” do jetë arena për përballjen mes Bylisit dhe Kukësit kryesues. Ballshiotët janë një “kockë” e fortë dhe verilindorët e kanë provuar diçka të tillë në ndeshjen e fazës së parë. Të dyja skuadrat duan pikët e plota dhe pritet të jetë një ndeshje mjaft e luftuar.
Po në orën 14:00 luhet edhe një tjetër takim, ai mes Luftëtarit dhe Flamurtarit. Dy ekipe që e kanë marrë rrugën për në Kategorinë e Parë, por që deri më tani e kanë respektuar maksimalisht garën. Kjo javë e Superiores mbyllet me Teuta-Vllaznia, takim i gjithi për t’u parë.
E PARA – Tre takime të së Parës luhen sot dhe i pari nis në orën 13:00. Pogradeci dhe Lushnja përballen mes tyre. Objektivi janë tre pikët, që të vijojnë ndjekjen e Apolonisë kryesuese. Fierakët luajnë një orë më pas në fushë asnjanëse me Besën, takim që parashikohet si mjaft i vështirë. Ka edhe një ndeshje në grupin A, ku Besëlidhja pret Burrelin dhe synon të ruajë hapin e Kastriotit, që dje mposhti Dinamon. / abcnews.al