Superiorja ka në program edhe dy ndeshje për t’u mbyllur java e 20-të. Prej orës 14:00 zhvillohen dy sfida mjaft të rëndësishme në Laç dhe në Ballsh. Kurbinasit, që kanë marrë katër pikë në dy takimet e para të këtij viti në kampionat, presin Skënderbeun.
Korçarët e kanë nisur mirë vitin dhe në Laç shkojnë të paktën për të mos humbur. Në dy takimet e mëparshme mes këtyre ekipeve ka pasur gola të shumtë, plot tetë, dhe nuk përjashtohet mundësia që të ndodhë edhe këtë herë kështu.
Takimi tjetër luhet në Ballsh, aty ku vendasit e Bylisit duhet të mposhtin Vllazninë pa sulmuesin kryesor, Saliou Guindo. Pas triumfit në Kupë me Laçin, ekipi i Veljko Dovedan është i karikuar maksimalisht për të marrë fitoren e parë në kampionat për këtë vit. /abcnews.al