NDESHJET E DITËS/ Finale dhe “të dënuar” për fitore, Superiorja e gjitha në fushë

schedule08:31 - 4 Mars, 2020

schedule 08:31 - 4 Mars, 2020

Rikthehet Superiorja dhe në program për sot janë pesë përballje të rëndësishme. FSHF dhe Supersport kanë përcaktuar oraret e ndeshjeve dhe katër prej tyre do luhen me ndriçim. Në orën 14: luhet vetëm një ndeshje, ajo mes Laçit dhe Bylisit, një sfidë mjaft e fortë mes dy ekipeve që duan në vend në kupat e Europës. Ballshiotët për këtë vit nuk po e gjejnë dot fitoren ne kampionët, kurse kurbinasit vijnë pas dy fitoreve me ekipet e vendeve të fundit.

Në 17:00 nisin takimet e tjera dhe Tirana kryesuese ka për detyrë të mposhtë Flamurtarin në transfetë. Skuadra e Egbo shkon me mungesa në Vlorë, por ka një grup të kompletuar dhe në kampin bardheblu nuk mund të kërkojnë për alibi. Fitorja është një mundësi për t’u shkëputur edhe më shumë nga Kukësi i vendit të dytë.

Diferenca aktualisht është katër pikë, por verilindorët luajnë me Vllazninë sot dhe kanë mungesa të rëndësishme si Musolli, Rroca dhe Ethemi. Veç këtyre, edhe Kristal Abazaj është në dyshim. Ndaj edhe mundësia që të ndalen në debutimin e Orges Shehit është e madhe.

Partizani kërkon reagimin pas disfatës 5-1 në derbi me Tiranën dhe skuadra e Sormanit duhet të tregojë karakterin e saj ndaj një ekipi si Teuta, që gjithashtu ka objektiva të rëndësishme këtë sezon. Në dy takimet e para të kuqtë nuk ia kanë dalë të fitojë dot me durrsakët.

Në Korçë luhet një takim që në letër nuk ka shumë histori. Skënderbeu, që po kalon një moment të mirë, duhet të mposhtë Luftëtarin e Neritan Novit, që ka shumë të rinj në përbërje. Ata duan të tregojnë vlerat e tyre dhe Daja një ditë më parë e tha që duhet kujdes, pasi lojtarë të tillë mund të dëmtojnë. Sigurisht Skënderbeu është favoriti absolut në këtë përballje. /abcnews.al

KATEGORIA SUPERIORE – JAVA 25
E mërkurë, më 4 mars 2020

Ora 14:00 | Laçi-Bylisi
Ora 17:00 | Skënderbeu-Luftëtari
Ora 17:00 | Kukësi-Vllaznia
Ora 17:00 | Flamurtari-Tirana
Ora 17:00 | Partizani-Teuta

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!