Franca i nisi ndeshjet e Nations League me një fitore 0-1 në Suedi përballë ekipit nordik, teksa nesër pret Kroacinë në ” Stade de France” (20:45). Dy kombëtaret janë ndeshur për herë të fundit mes tyre 15 korrikun e vitit 2018.
Luhej finalja e Botërorit të Rusisë dhe “Gjelat” triumfonin me rezultatin 4-2. Didier Deschamps pret fitoren e radhës nga djemtë e tij, ndërsa ndalet te Anthony Martial dhe mbrojtësi Presnel Kimpembe në konferencën për shtypin.
“Nuk e di se çfarë raporti ka Martial me trajnerin Solskjaer, por e shoh mirë dhe plot besim lojtarin. Ai është i aftë të luajë në krah, por te United aktivizohet si një numër 9. Nuk e ka profilin ideal të një qendërsulmuesi, por ai është një lojtar tepër i shkathët.
Fitorja me Suedinë? Nuk luajtëm mirë në lojën pa top, lamë për të dëshiruar në këtë aspekt, por vlerësoj përpjekjen e djemve për të mbuluar gjithë hapësirën e fushës. Kimpembe po afirmohet gjithnjë e më shumë.
Është pjekur si lojtar dhe po krijon eksperiencë. Ai ka një dëshirë të madhe për të treguar vlerat e veta dhe për t’u përmirësuar. Do të jetë në dispozicion bashkë me Mbappe. Na pret një ndeshje e nivelit të lartë me Kroacinë, do të japim gjithçka për ta fituar“, deklaron Deschamps. /abcnews.al