Ndeshja me Anglinë, Cikalleshi dhe Roshi: Shkojmë për një rezultat pozitiv

schedule14:39 - 10 Nëntor, 2021

schedule 14:39 - 10 Nëntor, 2021

Kombëtarja jonë vazhdon të jetë e grumbulluar në kuadër të ndeshjeve të fundit të kualifikueseve të Botërorit, Katar 2022, fillimisht përballë Anglisë dhe më pas ndaj Andorras.

Ditën e sotme në konferencë për shtyp doli sulmuesi Cikelleshi dhe anësori Roshi të cilët u shprehën se do të tentojnë të marrin një rezultat pozitiv në “Wembley”.

Pyetjeve të gazetarëve fillimisht iu përgjigj Sokol Cikalleshi:

Vend titullari në ndeshjen ndaj Anglisë? – Ndihem mirë, jam në formë. Kam shënuar në kampionat me ekipin. Nëse do të jem në fushën e lojës, uroj që forma e mirë që kam ta ndihmojë ekipin në një rezultat sa më pozitiv dhe të shikojmë në fushë nëse do të arrijmë të bëjmë atë çka ne mund të bëjmë të gjithë si grup duke luftuar dhe duke qenë të gjithë bashkë, edhe pse është ndeshje shumë e vështirë, por edhe e bukur për t’u luajtur. Jemi gati!

Dyshe perfekte me Uzunin? – Të them të drejtën, nuk mund të them dyshe perfekte pasi kohët e fundit në sulm kanë luajtur shumë lojtarë të tjerë. Nuk është dyshe stabile. Të shikojmë vendimin që do të marrë trajneri. Më vjen mirë që kam shënuar edhe unë edhe Uzuni. Jo vetëm kemi shënuar, por kemi luajtur të gjithë, unë Uzuni, Balaj, Roshi. Jemi të gjithë në formë dhe nuk besoj se do të jetë shumë e rëndësishme kush do të jetë në fushë, por më e rëndësishme është të nxjerrim më të mirën tonë. Uroj që të bëjmë diçka pozitive.

Reja? – Jam ndjerë shumë mirë me trajnerin Reja dhe kam shënuar. Edhe në aspektin e ekipit dhe duke parë edhe performancën e ekipit, vitet kur ka qenë Reja në krye, kemi kaluar nga epoka De Biasi me një futboll më shumë difensiv, tek epoka Reja ku topin e mbajmë më shumë ne. Kemi raste, luajmë futboll ofensiv. Për ekipe si Shqipëria kjo nuk është pak. Besoj që nuk jemi ende aty ku duhet dhe mungon pak rifinitura e fundit që ne mund të na çonte në Botëror, detajet e vogla pra. Do të uroja që trajneri Reja të vazhdonte në krye, pse jo dhe duke u mbështetur edhe tek eksperienca e tij, besoj do ta ndihmonte ekipin të arrinte edhe atë pak që i ka ngelur, për të bërë atë kapërcimin që ne duam të gjithë.

Peng në këto eliminatore? – Nëse  do të kthejmë sytë nga historia jonë, besoj se në aspektin e Botërorit, nuk kemi pasur ndonjëherë momente që një ndeshje mund të vendoste gjithçka, siç ishte ndeshja me Poloninë. Dhe jo vetëm unë, por të gjithë lojtarët, gjithashtu edhe stafi dhe Presidenti, të gjithë, jemi paksa të mërzitur, jo nga ndeshja, por nga situata që na ndodhi, me lojtarët e dëmtuar, gjithashtu edhe covidi, që ndikuan. Nuk do të them që nëse do të ishim ne, fitorja do të ishte e sigurt, por të paktën do të ishte një grup i plotë dhe mund të arrinim diçka më shumë sepse ishte një ndeshje që nëse do ta fitonim, sot do të flisnim ndryshe. Por ne nuk dorëzohemi, sepse unë më shumë jam realist dhe duhet ta pranojmë nivelin e Anglisë që edhe kur e kemi nisur këtë rrugëtim, e kemi thënë që Anglia është e para në grup dhe ne do të luftojmë me Hungarinë dhe Poloninë. Fatkeqësisht, na shkuan gjërat keq me Poloninë dhe kjo na ka mbetur peng. Por ky është futbolli dhe ne do të ecim përpara. Patjetër që unë do të doja që në këto eliminatore të lëmë një nga këto ekipe përpara dhe uroj që duke lënë Hungarinë mbrapa, kemi bërë një hap pozitiv përpara. Patjetër që nëse do të linim edhe Poloninë, atëherë do të ishte diçka që nuk e kemi bërë më parë. Uroj që të arrijmë diçka në Angli, po ashtu edhe Polonia të bëjë një hap fals me Hungarinë.

Shanset për të fituar me Anglinë? – Goli në Ëembley, nëse nuk do të jepte rezultat, nuk besoj se do të ndryshonte shumë në aspektin personal timin. Duhet të dimë që nëse do të jemi të gjithë bashkë dhe të nxjerrim më të mirën tonë, atëherë mund të kemi ndonjë shans. Duhet të jemi realistë, diferenca e Anglisë është e nivelit botëror. Duke nxjerrë çka kemi ne dhe duke luftuar si në ndeshjen me Francën ku kemi barazuar, apo me Portugalinë, që ne kemi treguar se mund të arrijmë rezultat. Ka qenë shpirti i garës dhe harmonia e grupit që na ka bërë të arrijmë rezultatin. Dhe kjo është rruga e vetme besoj që ne mund të nxjerrim diçka në ndeshjen me Anglinë.

Raketa kuqezi, Odise Roshi u shpreh:

Ndeshja kundër Anglisë – Të gjithë e dimë që me Anglinë është një ndeshje shumë e vështirë. Të gjithë e dinim kualitetin që Anglia ka shfaqur dhe ka. Kurse puna e trajnerit, se si do të luajë në fushë, atë po e bëjmë në stërvitje. Ende nuk e ka vendosur me çfarë taktike do të luajmë. Po shpresojmë të bëjë atë që ka bërë gjithmonë dhe kur të futemi të japim më të mirën dhe tani, nëse themi do të fitojmë, këtë kemi thënë gjithmonë. Do të shkojmë në Uembli të luajmë dhe të japim maksimumin.

Mesfusha? – Mesfushën e kemi shumë të mirë. Jemi mirë dhe jemi rritur shumë si ekip.

Titullar ndaj Anglisë? – Trajneri nuk e ka vendosur ende se cilët do të jenë 11 lojtarët që do të zbresin në fushë. Është kënaqësi shumë e madhe të luash kundër një kualiteti shumë të madh siç është Anglia, por shpresoj që të luaj në formacion.

Çfarë note do t’i vija Kombëtares? – Nota 10 është më e mira, por besoj se notën 8.

Vendi në formacion – Çdo lojtar që vjen në Kombëtare do të japë maksimumin dhe do të luajë në formacion, por gjithmonë e kam thënë, çdo herë që futem, që nga minuta e parë te minuta e fundit, apo edhe pesë minutat e fundit, unë gjithmonë jap më të mirën.

A besoj te kualifikimi? – Mrekullitë kanë ndodhur dhe prandaj janë të bukura. Shpresoj që të ndodhë kjo gjë. Kështu kemi shkuar edhe në Portugali në 2014 dhe e kemi fituar ndeshjet. Tani lojtarët janë në formë, si Cikalleshi që ka qenë edhe lojtari i javës në formacion në Turqi. Ashtu ka edhe lojtarë të tjerë, si Bare, Kumbulla, Ismajli, që luajnë në nivele shumë të mira. Shpresojmë. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!