Është përcaktuar nga UEFA se cili do të jetë gjyqtari i ndeshjes që Shqipëria do të luajë në fushën e Francës, për eleminatoret e Botërorit. Sfidën e së shtunës do ta drejtojë arbitri spanjoll, Hezus Manzano, 35 vjeç dhe që ka stemën e FIFA-s që nga viti 2014.
Manzano drejton prej 7 vjetësh në ligën spanjolle të futbollit, ku ka arbitruar skuadrat më të mëdha si Reali, Barcelona apo Atletiko e Madridit. Ndeshja e fundit e gjykuar prej tij ishte ajo mes Vijarrealit dhe Realit, luajtur në 1 shtator.
Gjyqtari njihet si ashpër në vendimet e tij, dhe nuk ka ngurruar të përjashtojë lojtarë të njohur, siç bëri sezonin e kaluar me sulmuesin e Atletikos, Diego Kostën.
Ndihmësit e Manzanos do të jenë gjithashtu spanjollë, ndërsa ndeshja Francë-Shqipëri luhet në 7 shtator, ora 20:45 në stadiumin kryesor të Parisit. /ABC News Albania 24/7