Analisti Martin Leka thotë se ndërtimi i Gjykatës Speciale në Hagë, do të jetë njollë e zezë në historinë e Kosovës.
Në emisionin “Real Story” në ABC News, Leka u shpreh se presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti, kanë qëndruar në heshtje për 5 vjet, lidhur me procesin ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
“Gjykata, ndërtimi i kësaj gjykate, në historinë që do të shkruhet për Kosovën, do jetë njollë e zezë. Nga ana tjetër, testi i kësaj gjykate duhet të ishte zoti Haradinaj, Limaj etj, të cilët fituan pafajësinë. Edhe Haradinaj edhe Limaj, në këtë nivel grade në UÇK, ishte komandant në zonën e vet. Unë e kam të provuar vetë, me prova që kjo lloj ushtrie ishte jo e organizuar në atë mënyrë, por në lokacione të organizuara në mënyrën e vet. Në luftën e Kosovës, kam qenë drejtor i Radio Tiranës, telefoni i Radio Tiranës ishte adresa kryesore e atyre që kam folur vetë, ca në Koshare, ca në Drenicë, Dreçan, gjithkush fliste nga një zonë, por nuk kishin dijeni për të tjerët. Ishte luftë që nuk e kishte zinxhirin komandues klasik që ka në një luftë. Ne mund të flasim shumë për Gjykatën e Hagës, por ajo që është e paimagjinueshme për Kosovën, më duket që qoftë Vjosa Osmani, qoftë Albin Kurti nuk kanë thënë asgjë në 5 vjet”, theksoi ai.


