Në këtë ndërtesë të thjeshtë, pronësia e së cilës i kushtoi jetën Astrit Kalasë, banorët flasin me lot në sy për një gjyqtar që u bë pjesë e historisë së tyre.
“Me vjen me qa për atë tragjedi të rëndë është vra një i pafajshëm për këtë rrënojë…”, shprehen banorët Paulina Nika dhe banori Pal Frani.
ABC News ishte këtë të martë në lagjen Skënderbeg të Shkodrës, ku banorët e godinës që u bë pjesë e tragjedisë, ndanë dhimbjen, shqetësimin dhe kujtimin për gjyqtarin Astrit Kalaja, njeriun që siç ata thonë, vendosi drejtësinë në vend.
Të strehuar që prej vitit 1992 me vendim të Këshillit Bashkiak të kohës, si familje në nevojë, përfituan banesë sociale nga shteti.
Por historia e tyre u kthye në një betejë të gjatë me institucionet dhe me pretenduesit e pronësisë.
“Të gjitha të zezat i kemi veç nga bashkia. S’na ka dalë për zot Lorenc Luka…”, shprehet banori Noc Ndoci.
Në zërin e Paulina Nikës ndihet frika e përjashtimit nga shtëpia me të cilën ka jetuar për 3 dekada.
“Kam 35 vjet këtu. Problemet na filluar në 2021. Atëherë erdhi përmbaruesi Martin Tusha”, thotë banorja Paulina Nika.
Banorët e lidhin zinxhirin e padrejtësive me institucionet vendore të kohës, ndërsa shkaku I çdo përplasje mban emrin e Lorenc Lukës, ish kryetari demokrat I bashkisë së Shkodrës.
“Përmbaruesi Martin Tusha në 2002 është bazu me i vendim gjykate që thotë se ne e kemi zaptu forcërisht. Po bashkia na ka strehu kemi akt marrëveshje. Lorenc Luka njeriu i tana të zezave”, shprehet Noc Ndoci.
Të gjithë rrëfejnë të njëjtin cikël të lodhshëm gjyqesh, dokumentesh dhe vendimesh që ndryshonin duar.
“Kemi kërku me e privatizu para këtij. Nëe Shkodër pallatet kanë qenë shtetërore. Unë lind në Shkodër s’kam prona, ai në Dukagjin paska…”, shprehet Ndoci.
Në kalvarin e gjyqeve të njëspasnjëshme, Noc Ndoci tregon se si Astrit Kalaja priti 10 vite Gjon Shkambin për dokumentin e trashëgimisë, të cilin nuk e dorëzoi kurrë.
“Astrit Kalaja për mu është njeriu që ka vendos drejtësinë. E ka prit Gjon Shkambin 10 vjet me i ç’u dokumentin e trashëgimisë”, thotë banori Noc Ndoci.
Kjo godinë, që mbart dhimbje, frikë dhe kujtimin e një vendimi të fundit, ka vetëm një emër: Astrit Kalaja. Për këta banorë, nuk ishte vetëm një gjyqtar, por njeriu që i dëgjoi, i kuptoi dhe i mbrojti.

