Ndërron jetë në aeroportin ku jetoi për 18 vite iraniani që frymëzoi filmin “The Terminal”

schedule11:00 - 13 Nëntor, 2022

schedule 11:00 - 13 Nëntor, 2022

Mehran Karimi Naseri, irianiani mbi historinë e së cilit u bë filmi “The Terminal” me protagonist Tom Hanks, ka dhënë shpirt në aeroportin francez ku kaloi 18 vitet e jetës së tij. Nasseri ktheu një cep të vogël të aeroportit Charles de Gaulle në shtëpinë e tij në vitin 1988 dhe qëndroi atje deri në vitin 2006, fillimisht për shkak të një “ngërçi” ligjor dhe më pas me vullnetin e tij.

Pas disa vitesh, qeveria franceze i dha Naserit të drejtën për të jetuar në territorin e saj, por iraniani u kthye në “cepin” e tij disa javë më parë, ku edhe vdiq nga një atak në zemër, sipas raportimeve.

Mehran Karimi Naseri ka lindur në vitin 1945 në provincën Khuzestan të Iranit dhe së pari udhëtoi në Evropë për të gjetur nënën e tij britanike.

Ai kaloi disa vite në Belgjikë, pasi më parë ishte dëbuar nga disa vende të tjera, duke përfshirë Britaninë, Holandën dhe Gjermaninë, për mungesë të dokumenteve të duhura të udhëtimit. Më pas, ai udhëtoi për në Francë dhe u vendos në Terminalin 2F të Aeroportit Charles de Gaulle.

Në “shtëpinë” e tij të pazakontë, të mbushur me karroca me sendet e tij, Naseri i kalonte orët në një stol duke lexuar libra dhe gazeta dhe duke shkruar për jetën e tij në një fletore. Këto shënime formuan bazën për autobiografinë e tij të botuar në 2004.

Historia e tij tërhoqi vëmendjen e mediave dhe më pas zgjoi interesin e Steven Spielberg, i cili drejtoi filmin “The Terminal” me Tom Hanks dhe Catherine Zeta-Jones.

Për shkak të suksesit të madh të filmit, gazetarë nga e gjithë bota nisën të udhëtonin në Francë vetëm për të biseduar me Nasserin, i cili atëherë përdorte emrin “Sir Alfred”. Sipas Le Parisien, ka qenë një kohë kur iraniani jepte gjashtë intervista në ditë.

Edhe pse përfundimisht iu dha azil refugjatësh në vitin 1999 dhe u lejua të qëndronte në Francë, Naseri qëndroi në aeroport deri në vitin 2006, kur u dërgua në spital për shkak të sëmundjes.

Më pas Naseri ka jetuar për disa vite në një hotel, duke shfrytëzuar paratë e dhëna nga prodhimi i filmit, siç shpjegon Liberation. Një zyrtar i aeroportit tha se Naseri u kthye në aeroport disa javë më parë, ku qëndroi derisa ndërroi jetë. /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!