Ish-presidenti i Serbisë, Milan Milutinoviç, ka ndërruar jetë në moshën 81-vjeçare. Lajmi është bërë i ditur nga Ivica Daçiq, kreu i Partisë Socialiste (SPS).
Milan Milutinoviç ka qenë president i Serbisë nga viti 1997 deri në vitin 2002. Nga viti 1989 deri në vitin 1995 ka qenë ambasador i Republikës Federale të Jugosllavisë në Greqi, ndërsa nga viti 1995 deri në vitin 1997 ka qenë Ministër i Punëve të Jashtme të Jugosllavisë. Ai konsiderohej bashkëpunëtor i ngushtë i presidentit jugosllav Slobodan Millosheviç (1941-2006), i cili ishte paditur për krime lufte.
Akuza u ngritën gjithashtu kundër Milan Milutinoviçit në vitin 1999 në Hagë nga Gjykata Ndërkombëtare e KB-së për Krime në ish-Jugosllavi.
Pas përfundimit të mandatit të tij presidencial, Milutinoviç u dorëzua në vitin 2003 në GJPN dhe në vitin 2009 u lirua nga të gjitha akuzat kundër tij. /abcnews.al