Policia e Dimalit ka zbardhur një ngjarje të ndodhur më 29 qershor. Një 63-vjeçar mbeti i lënduar rënnë dhe më pas humbi jetën në spital. Ngjarja fillimisht u referua si aksidentale, por pas hetimeve ka rezultuar se 63-vjeçari i cili po udhëtonte me një biçikletë, është përplasur nga një motomjet.
Shoferi i motomjetit pas aksidentit ishte larguar nga vendi i ngjarjes.
“Më datë 29.06.2022, u gjet në rrugë, i rrëzuar nga biçikleta, shtetasi K. H. Në bazë të dyshimeve të krijuara se 63-vjeçari nuk ishte rrëzuar aksidentalisht nga biçikleta, siç u raportua fillimisht, por ishte goditur nga një mjet tjetër, gjithashtu bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, falë bashkëpunit me AMP, u referuan materialet në Prokurori, si dhe u bë regjistrimi i procedimit penal, për veprat penale “Drejtimi i mjetit në mënyrë të parregullt” dhe “Largimi nga vendi i aksidentit”, bën me dije policia.
Në përfundim të veprimeve hetimore është bërë e mundur zbardhja dhe dokumentimi i plotë me prova ligjore i kësaj ngjarjeje, si dhe ndalimi i shtetasit E. D., 27 vjeç, banues në fshatin Drenovic, Dimal, për veprat penale të lartpërmendura.
“Nga veprimet hetimore ka rezultuar se më datë 29.06.2022, në aksin rrugor “Samatic-Drenovicë”, rreth orës 20:00, shtetasi E. D., duke drejtuar një motomjet, pa targa, ka goditur shtetasin K. H., i cili ka qenë duke drejtuar biçikletën dhe është larguar nga vendngjarja”, njoftojnë blutë.
Si pasojë e goditjes me motomjet, 63-vjeçari është rrëzuar nga biçikleta dhe ka marrë dëmtime të rënda në kokë, si pasojë e të cilave humbi jetën në spital, në datën 30.06.2022./Abcnews.al/