Ndërrimi i viteve, incidente në Britani dhe Japoni

schedule16:27 - 1 Janar, 2019

schedule 16:27 - 1 Janar, 2019

Ndërrimi i viteve nuk kaloi pa incidente të ngjashme me sulmet terroriste. Në qytetin anglez të Manchester-it, një person plagosi 3 vetë me thikë pasi bërtiti “Allah”, ndërsa në Tokio një 21-vjeçar sulmoi me furgon një grup këmbësorësh.

Ndërrimi i viteve nuk ka qenë imun nga incidentet e tipit terrorist, ndonëse autoritetet policore të vendeve ku episodet u verifikuan nuk e konsiderojnë të mirëqënë këtë pistë. Në Manchester të Britanisë, tre persona, mes të cilëve një agjent policie, u sulmuan me thikë pranë stacionit hekurudhor të qytetit. Sipas mediave britanike, të lënduarit morën plagë serioze, por që nuk përbëjnë rrezik për jetën e tyre. Forcat e rendit arrestuan agresorin, ndërkohë që hetimet mbi ngjarjen u morën nën kontroll nga oficerët e anti-terrorizmit.

“Të gjitha pistat janë të hapura”, deklaroi njëri prej tyre.

Agjenti që mbeti i plagosur la disa orë më vonë spitalin, ndërsa dëshmitarë nga vendi i ngjarjes deklaruan se gjatë agresionit, autori bërtiti “Allah” dhe parulla kritike në adresë të qeverive perëndimore. Një tjetër incident u verifikua në Tokio, ku një furgon vërshoi mes kalimtarëve që po festonin ndërrimin e viteve. Drejtuesi i mjetit u largua menjëherë nga vendi i ngjarjes, por u arrestua pak më vonë nga policia për tentativë vrasjeje.

Nga incidenti, i ndodhur në një nga lagjet më moderne të Tokios, Harajuku, 9 persona mbetën të plagosur, njëri prej të cilëve në gjendje të rëndë. Policia japoneze deklaroi paraprakisht se agresioni kishte qenë një sulm terrorist, por pas marrjes në pyetje të autorit, një 21-vjeçar vendas, njoftoi se sulmi kishte qëllime hakmarrjeje personale. Agjencia e lajmeve “Kyodo”, që citon burime të afërta me hetimet, bëri të ditur se një fuçi me lëndë djegëse kerozen u gjet brenda automjetit, të cilit 21-vjeçari kishte në plan t’i vinte flakën./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!