Ndërpriten kërkimet për peshkatarin e mbytur në Pogradec

schedule15:22 - 2 Janar, 2019

schedule 15:22 - 2 Janar, 2019

Ndërpriten kërkimet për peshkatarin nga Memelishti, që kishte humbur në liqenin e Ohrit, teksa kishte dalë për peshkim. Pas katër orë kërkimesh në ujërat e ftohta të liqenit në Pogradec, polumbarët e forcave RENEA kanë ndërprerë kërkimet, të cilat do i rinisin të enjten.

Peshkatari 59-vjeçar nga Memelishti ishte zhdukur prej tre ditësh, ndërsa familja bëri denoncimin në polici mbrëmjen e të martës, me dyshimin e fortë se ai mund të ishte mbytur. 59-vjeçari dilte shpesh me varkën e tij në liqen, por këtë herë nuk është kthyer në shtëpi. Krahas polumbarëve të RENEA-s, në kërkim të 59-vjeçarit janë angazhuar edhe 20 kolegë të tij peshkatarë me varkat e tyre.

Peshkimi mbetet një profesion i vështirë, edhe në një qytet liqenor si Pogradeci. Moti e kushtet modeste të punës për të siguruar jetesën, e bëjnë atë një profesion të rrezikshëm. Vetëm pak ditë më parë, dy peshkatarë të tjerë humbën jetën, duke u mbytur në rezervuarin e Bradomirës, në Pogradec./abcnews.al