Ndërprerje të shpeshta të energjisë në Kinë, çfarë po ndodh?

schedule10:50 - 30 Shtator, 2021

schedule 10:50 - 30 Shtator, 2021

Kina po lufton me një mungesë të madhe të energjisë elektrike e cila ka lënë miliona shtëpi dhe biznese pa drita. Ndërprerjet e energjisë nuk janë aq të pazakonta në vend, por këtë vit një numër faktorësh kanë kontribuar, shkruan BBC.

Problemi është veçanërisht serioz në qendrat industriale verilindore të Kinës me afrimin e dimrit  dhe është diçka që mund të ketë ndërlikime për pjesën tjetër të botës.

Pse Kina është prekur nga mungesa e energjisë?

 

Vendi në të kaluarën ka luftuar për të balancuar furnizimin me energji elektrike dhe me kërkesën në rritje, e cila shpesh ka lënë shumë nga krahinat e Kinës në rrezik të ndërprerjes së energjisë.

Gjatë kohës së konsumit të pikut të energjisë në verë dhe dimër, problemi është më i zakonshëm. Por këtë vit një numër faktorësh kanë ndikuar në këtë gjendje kaq serioze. Ndërsa bota fillon të rihapet pas pandemisë, kërkesa për mallrat kineze po rritet dhe fabrikat që i prodhojnë ato kanë nevojë për shumë më tepër energji.

Dhe ndërsa kërkesa për energji elektrike është rritur, çmimi i qymyrit gjithashtu është rritur, raporton abcnews.al

Ndikimi në ekonominë e Kinës

Shifrat zyrtare kanë treguar se në shtator 2021, aktiviteti i fabrikës kineze u tkurr në nivelin më të ulët që nga shkurti i vitit 2020, kur bllokimet e koronavirusit dëmtuan ekonominë. Shqetësimet mbi ndërprerjet e energjisë kanë kontribuar që bankat globale të investimeve të ndryshojnë parashikimet e tyre për rritjen ekonomike të vendit.

Goldman Sachs ka vlerësuar se deri në 44% të aktivitetit industrial të vendit është prekur nga mungesa e energjisë. Tani pritet që ekonomia e dytë më e madhe në botë të zgjerohet me 7.8% këtë vit, nga parashikimi i saj i mëparshëm prej 8.2%.

Globalisht, ndërprerjet mund të ndikojnë në zinxhirët e furnizimit, veçanërisht drejt sezonit të blerjeve në fund të vitit. Meqenëse ekonomitë janë rihapur, shitësit me pakicë në të gjithë botën tashmë janë përballur me barriera për shkak të rritjes së kërkesës për importe.

Çfarë po bën Kina për të zgjidhur problemin?

Planifikuesi ekonomik i Kinës, Komisioni Kombëtar i Zhvillimit dhe Reformës (NDRC), ka vendosur një sërë masash për të zgjidhur problemin, me furnizimin me energji në verilindje të vendit si përparësinë e tij kryesore gjatë këtij dimri.

Masat përfshijnë bashkëpunimin e ngushtë me firmat gjeneruese për të rritur prodhimin, duke siguruar furnizimin e plotë të thëngjillit dhe shpërndarjes së energjisë elektrike. Rusia tashmë është e fokusuar tek klientët e saj në Europë, prodhimi indonezian është goditur nga shirat e dendur dhe Mongolia po përballet me një mungesë të kapacitetit të transportit rrugor, raporton abcnews.al

Ndikimi në botë

Ndërprerja e energjisë në Kinë, Mbretëria Bashkuar ka mungesë karburanti, rritja e çmimit të naftës dhe gazit natyror dhe qymyrit në tregjet me shumicë – do të ishte joshëse të supozohet se bota ndodhet papritmas në një thatësire globale të energjisë.

Sidoqoftë, nuk është aq e thjeshtë- ka disa çështje krejtësisht të ndryshme në të gjithë botën. Për shembull, në Mbretërinë e Bashkuar stacionet e benzinës janë boshatisur pasi shoferët nxituan të mbushin automjetet e tyre mbi frikën se mungesa e shoferëve të cisternave nënkuptonte mungesa të karburantit.

Ndërkohë, faturat e energjisë në rritje të Europës kontinentale janë për shkak të një numri faktorësh lokalë, duke përfshirë rezervat e ulëta të gazit natyror, prodhimin e dobët nga mullinjtë e erës dhe fermat diellore të rajonit dhe punën e mirëmbajtjes që ka nxjerrë jashtë funksionimit operacionet gjeneruese./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!