Nderoi Kosovën e kinematografinë shqiptare, Blerta Basholli gati për surprizën e re!

schedule18:17 - 2 Dhjetor, 2022

schedule 18:17 - 2 Dhjetor, 2022

Blerta Basholli foli për kamerën e ‘Abc e Pasdites’ me Ermal Peçin, mbi marrëdhënien me filmin “Zgjoi” dy vite pas publikimit dhe nominimit në Oscars. Regjisorja shprehu se ky film e ka inspiruar shumë dhe i ka shtuar dëshirë për të realizuar edhe më tepër filma me metrazh të gjatë. Sipas saj, vështirësia e realizimit të këtyre produksioneve lidhet ngushtë me fondet, por është frymëzuese kur sheh kolegët e saj, apo dhe vetë rasti i Bashollit, që me pak fonde realizojnë filma cilësor të cilët nominohen apo fitojnë çmime të rëndësishme në Evropë dhe jashtë saj.

“Unë e kam kry fakultetin e arteve me mendimin që kurrë s’kam me mujt me bo film të gjatë. Qendra e kinematografisë nuk ka pas fonde, s’kam besu. Ka momente të ndryshme kur mendon se u harrova, ose kur nuk mendon por lodhesh faktikisht. Ne kemi pas momente të tilla shumë herë, kur s’ke producent e kurrgjo. Bashkarisht kemi kërku fonde, nuk është një proces që më pëlqen, i promovimit të projektit. Kampanja për Oscars na ka përfshi mu dhe producentit Yll Uka në mënyrë intensive, punë që nuk ishin tona hiç dhe në atë fazë nuk kisha pikën e energjisë.” – shprehu regjisorja dhe skenaristja e filmit “Zgjoi”.

Basholli zbuloi gjithashtu se projektin e rrallë e ka gati, është në përfundim të skenarit:

“Jam duke zhvillu dy projekte për momentin, shpresoj që në fund të 2023 apo në fillim të 2024 të hy në xhirim me cilindo nga skenaret që financohet i pari. ‘Zgjoi më ka inspiru edhe ma shumë për me vazhdu, jam duke shkrujt skenarin vetë, mezi po pres me e përfundu që është i bazuar në Kosovë dhe shumë i bazuar në jetën time. E kam shumë të vështirë të përballem me shumë situata por jam duke mësuar goxha për veten time.”

Filmi “Zgjoi” ka rëndësi të madhe në kinematografinë shqiptare për shkak të vlerësimeve internacionale por edhe për historinë e fortë e që trondit. Por si është ndjerë Blerta kur mësoi se u nominua në listën e ngushtë të Oscars?

“Momenti kur e kuptum që kemi hy në listën e ngushtë ka qenë një moment me rëndësi për ne dhe për Kosovën sepse ka shtete të Ballkanit që ccojnë filma prej viteve të 90ta, dhe asnjëherë nuk kanë mund me hy në listën e ngushtë. Ndërsa ne për me kaq pak vite sa prodhojmë filma, Kosova është fut në mesin e 15 filmave më të mirë në botë nga 94 filma.” /abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!