Ndërkombëtarët presion për rinisjen e dialogut Prishtinë-Beograd

schedule15:43 - 27 Shtator, 2019

schedule 15:43 - 27 Shtator, 2019

Bashkësia ndërkombëtare vijon të ushtrojë presion për rinisjen e dialogut Prishtinë-Beograd menjëherë pas zgjedhjeve në Kosovë. Ndërkohë, partitë politike po vazhdojnë fushatën ku po shpalosin edhe qëndrimin e tyre në këtë proces.

Partitë politike me agjenda të ngjeshura po vazhdojnë fushatën zgjedhore në Kosovë. Ato po shpalosin programin e tyre para elektoratit përfshirë edhe 1asjen e partive të tyre ndaj dialogut Prishtinë-Beograd.

Ndërkohë edhe Bashkësia Ndërkombëtare ka nisur presionet e saj që menjëherë pas zgjedhjeve të rinis dialogu i mbetur në gjysmë ndërmjet këtyre dy vendeve. SHBA-ja tashmë ka marrë rol kyç në rinisjen e dialogut derisa mbetet e paqartë se si do të jetë roli i Bashkimit Evropian në këtë dialog.

Megjithatë është raportuar se BE-ja sikurse SHBA-ja do të caktojë një të emëruar të posaçëm për dialogun. Ndërkohë presidenti i Francës Emmanuel Macron ka paralajmëruar se do të ketë rol aktiv në këtë dialog menjëherë pas zgjedhjeve në Kosovë.

Për analistin Milazim Krasniqi, kjo nënkupton që të gjitha palët e kanë marrë seriozisht çështjen e marrëveshjes finale Kosovë Serbi. Madje ai thotë se në këtë mënyrë ka gjasë të organizohet një konferencë ndërkombëtare për këtë çështje.

“Droja ime është që tashmë po krijohen premisat për organizimin e një konference të re ndërkombëtare për Kosovën ku do të jenë të përfshira, SHBA-ja, BE-ja Franca Gjermania dhe sipas të gjitha gjasave edhe Rusia”.

Por ajo që është e sigurtë sipas tij është që Kosovë menjëherë pas zgjedhjeve nuk do të humb kohë në krijimin e qeverisë së re, madje ai thotë se do te ketë një koalicion më të gjerë qeverisës. Dialogu Prishtinë Beograd është ndërprerë pas taksës që qeveria e Kosovës i ka vënë 100% produkteve serbe në nëntor të vitit të kaluar./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!