Kjo ndërhyrje pritet t’i japë fund përmbytjeve në autostradën Tiranë-Durrës pavarësisht intensitetit të reshjeve. Punimet që po kryhen për vendosjen e dy tombinove në segementin nga mbikalimi i Kamzës në atë të Kasharit u inspektuan nga Ministri në detyrë i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri dhe drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar Afrim Qendro.
“Është bërë një studim hidrik për gjithë këtë pjesë të autostradës dhe ka rezultuar si nevojë emergjente vendosja e dy tombinove. Këto dy tombino bashkë me pastrimin e kanaleve do të bëjnë të mundur që sasia e reshjeve në maksimumin e tyre të mos krijojë më përmbytje në autostradë. Është një projekt i bërë në kuadër të programit të qeverisë për mirëmbajtjen e rrugëve. Punimet po bëhen tani sepse nuk dëshironim të bëheshin gjatë Dhjetorit për shkak të trafikut të rënduar të festave”.
Më pas në segmentin nga mbikalimi i Kasharit deri në Vorë do të nisë ndërhyrja për pastrimin e tombinove. Në vlerësimin e ministrit Gjiknuri kjo është ndërhyrja e parë serioze që po bëhet për sistemimin e një problemi shumëvjeçar. Ndërkohë kërkoi mirëkuptimin e qytetarëve për trafikun me të cilin po përballen, ndërsa kryhen punimet.
“Investimi është në kuadër të programit rehabilitues të rrugëve. Kërkojmë ndjesë për ndonjë pengesë që mund të krijohet gjatë këtyre ditëve në trafik por kjo është e domosdoshme për të evituar probleme edhe më të mëdha. Qytetarët duhet të na mirëkuptojnë në këtë rast. Vitin e fundit, programi i rehabilitimit të rrugëve ka qenë intensive dhe u bë e mundur të investohen mbi 25 milion euro. Një vlerë e cila nuk ishte menduar më parë për mirëmbajtjen e rrugëve. Produktet janë të prekshme, me sinjalistikën, riparimin e disa akseve kryesore. Edhe gjatë ditëve me reshje dëborë u vu re se programi i mirëmbajtjes po funksionon shumë mirë. Në total janë 250 kilometra ku është ndërhyrë për rehabilitim, rikonstruksion e rregullim shtresash asfaltike”.
Nga ana e Autoritetit Rrugor Shqiptar dhe Policisë së Qarkullimit Rrugor është hartuar një plan operacional i ndërhyrjes dhe devijimit të trafikut për të shmangur bllokimin e qarkullimit dhe për të garantuar mbarëvajtjen e punës në terren. Vlera e investimit që po kryhet në këtë aks arrin në shumën 342,000 euro pa TVSH. /abcnews.al