Ndërhyrja e Serbisë në zgjedhjet e Kosovës është e dëmshme për demokracinë e vendit. Kështu komentohet presioni i Beogradit zyrtar për votimin e Listës Serbe në zgjedhjet e 9 shkurtit.
Ligjëruesi i medias dhe konfliktit në Universitetin e Agder-it në Norvegji, Abit Hoxha vlerëson se ndërhyrja e tillë e Serbisë është e vazhdueshme.
“Kjo është në vazhdën e intervenimit që Serbia bënë përmes eksponentëve të vet në Kosovë. Ka qenë e pritur, në Ballkan është kjo goxha e theksuar kjo mënyrë e veprimit me zgjedhjet, intervenimi në zgjedhje në shtetet fqinje. Ka qenë në përmasa të pritjes por gjithsesi nuk është mirë për demokracinë e Kosovës që të intervenohet prej një shteti tjetër të votohet ashtu në mënyrë të organizuar”.
Të pamjaftueshëm e konsideron reagimin e Bashkimit Evropian për ndërhyrje të Serbisë në zgjedhjet e Kosovës, Besar Gërgi nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike.
“Nuk mjafton [reagimi] sepse reagimi i parë do të duhej të vinte nga institucionet e Kosovës. Ne nuk kemi parë asnjë reagim as nga presidenca, as nga Zyra e Kryeministrit apo nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, të cilët do të duhej të reagonin ndaj shkeljeve sistematike që po i bëhen marrëveshjes së Ohrit. Dhe duhet ta kuptojmë se sa herë që faktori ndërkombëtar kërkon themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ata e bëjnë këtë bazuar në marrëveshjen e Ohrit dhe kanë të drejtë ta kërkojnë sepse po është pjesë e marrëveshjes. Mirëpo, shkelja sistematike e kësaj marrëveshje nga ana e Serbisë do ta bënte themelimin e Asociacionit në këtë kohë një projekt potencialisht të dëmshëm për sovranitetin e Kosovës”.
Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde ka thënë se Serbia ka ndërhyrë në zgjedhjet e rregullta parlamentare në Kosovë, duke kërkuar vota për Listën Serbe.
Drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Serbi, Petar Petkoviq i ka reaguar Rohdes, duke thënë se ka shfaqur “njëanshmëri të qartë”.
Edhe shefja e Misionit të Bashkimit Evropian për Vëzhgimin e Zgjedhjeve në Kosovë Nathalie Loiseau, ka thënë se Serbia ka ndërhyrë në zgjedhjet e Kosovës.
Mbi 100 vëzhgues nga Bashkimi Evropian janë angazhuar ditën e zgjedhjeve më 9 shkurt, ku të drejtë vote kanë pasur mbi 1 milion e 970 mijë votues./abcnews.al