“Ndërhyrja e ambasadorëve”, Meta-Ramës: Kanë të drejtën legjitime të shprehen!

schedule13:29 - 5 Qershor, 2020

schedule 13:29 - 5 Qershor, 2020

Presidenti i republikës Ilir Meta, në komunikimin e sotëm me median, përsëri gjeti rastin të kundërshtonte deklaratat e kryeministrit Rama.

Meta nuk është aspak dakord me deklaratën e kryeministrit, bërë ditën e djeshme në Kuvend, për “ndërhyrjen” e ambasadorëve të huaj në sistemin zgjedhor, e cilësuar nga Rama, si “në një çështje ekskluzive të politikës e brendshme”.

Sipas Presidentit, ambasadorët e huaj kanë gjithë të drejtën legjitime të shprehen për çdo cenim që i bëhet marrëveshjes së stabilizim asociimit mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian, pjesë e të cilës është edhe sistemi zgjedhor.

 “Roli pozitiv i ndërkombëtarëve është gjithmonë i mirëpritur. Dëgjova dje në parlament një përfaqësues të  mazhorancës që tha: ç’i duhet BE që merret  me punën e zgjedhjeve në Shqipëri?

Mendoj se të gjithë ambasadorët e vendeve të Bashkimit Europian kanë të drejtën e tyre legjitime të shprehen për çdo cenim të marrëveshjes së stabilizim asociimit që është në fuqi prej gati një dekade mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian.

Ajo është një marrëveshje që detyron Shqipërinë, parlamentin, qeverinë, presidentin të gjithë aktorët  të respektojnë ato standarde që kemi rënë dakord me BE në mënyrë që të hedhim hapa të tjerë përpara siç është vullneti i gjithë popullit shqiptar.

Do të ishte mirë sikur çdo ditë, çdo ambasador i BE, sa herë që shikon një shkelje të marrëveshjes së stabilizim-asociimit ta denonconte atë publikisht. Kjo do ishte rruga më e mirë se heshtja, apo ndonjëherë deklarata të cilat ndonjëherë krijojnë konfuzion, se sa qartësi. Të gjithë përpjekjet e tyre pozitive duhen vlerësuar, si të ambasadorit të Bashkimit Europian, si të ambasadores së Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, deklaroi Presidenti.

Presidenti Meta e përmbylli komunikimin  e tij me gazetarët duke theksuar se mesazhi i tij ishte se politika duhet të kuptojë që qasja e re e metodologjisë së zgjerimit të Bashkimit Europian, sipas propozimit francez, nuk toleron hapa pas të Shqipërisë, dhe se një gabim i tillë sado i vogël, do të dëmtonte integrimin e vendit në BE./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!