Ndarja nga Kosova/ “Të nisim bisedimet me Tiranën, jo me Prishtinën”

schedule18:43 - 6 Shkurt, 2018

schedule 18:43 - 6 Shkurt, 2018

Qeveria serbe po shqyrton opsionin e nisjes së bisedimeve me Tiranën për të diskutuar ndarjen e Kosovës. Për Beogradin, vetëm shkëputja e veriut me shumicë serbe mund të sjellë paqe afatgjatë me shqiptarët.

Ministri serb i Mbrojtjes, Aleksandar Vulin, ka deklaruar se Serbia duhet të kërkojë ndarjen e Kosovës dhe ka sugjeruar se për këtë, qeveria serbe duhet të diskutojë me Tiranën dhe jo me Prishtinën. Qëndrimin e tij, Vulin e ka shprehur në një tryezë të mbajtur në Beograd, në kuadër të procesit të njohur si Dialogu i Brendshëm për Kosovën.

“Ndarja afatgjatë dhe e fortë mes shqiptarëve dhe serbëve duhet të ndodhë në Kosovë”, ka thënë Vulin në tryezën e udhëhequr nga presidenti Aleksandar Vuçiç. Sipas “Zërit të Amerikës”, ministri i Mbrojtjes nuk ka dhënë detaje se si duhet të realizohet ndarja e Kosovës, por dihet që synimi i Beogradit është veriu me shumicë serbe, që kundërshton shtrirjen e pushtetit të Prishtinës.

Një ide e tillë është propozuar më parë edhe nga ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiç, i cili disa herë ka deklaruar se qeveria serbe nuk ka asnjë ndikim në Kosovën e banuar me shqiptarë. Por në rast se këtij opsioni i hapet rrugë, Beogradi i trembet kërkesës eventuale të palës shqiptare për Luginën e Preshevës, që do të çonte sipas palës serbe në krijimin e Shqipërisë së madhe. Pa harruar këtu edhe rolin e faktorit ndërkombëtar, që zor se do të toleronte një nismë të njëanshme të Serbisë dhe Shqipërisë për ndryshimin e kufijve në rajon./abcnews.al