Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka shpallur tre ditë zie pas ndarjes nga jeta të Adem Demaçit në moshën 82-vjeçare. Kanë qenë të shumta mesazhet e ngushëllimit për atë që njihej dhe si Mandela i Ballkanit e që një pjesë të mirë të jetës ia kushtoi mbrojtjes së të drejtave të njeriut.
Është ndarë nga jeta të enjten në moshën 82-vjeçare Adem Demaçi mbrojtësi i të drejtave dhe lirive të njeriut, që udhëhoqi rezistencën kombëtare të Kosovës.
Gjatë seancës parlamentare ka qenë nënkryetari i parlamentit Xhavit Haliti, i cili duke ndërprerë seancën njoftoi deputetët në sallë se mësuesi i të gjithëve, i cili kaloi 28 vjet në burg ishte ndarë nga jeta. Pas njoftimit deputetët mbajtën një minutë heshtje.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka shpallur tri ditë zie në nderim të figurës së tij. Për tri ditë, flamuri shtetëror i Republikës së Kosovës do të ulet në gjysmështizë në të gjitha institucionet shtetërore brenda dhe jashtë vendit.
Demaçi, veprimtar politik dhe mbrojtës i të drejtave të njeriut, në Kosovë njihet si njeriu që u bë simbol i rezistencën në Kosovë për lirinë dhe pavarësinë e saj. Për shkak të pikëpamjeve të tij politike, ai kishte vuajtur një dënim prej 28 vitesh në burgjet e ish-Jugosllavisë e më pas të Serbisë, andaj edhe shpesh është quajtur edhe si “Mandela i Ballkanit”.
Në vitin 1991, ai u nderua me çmimin “Saharov” të Parlamentit Europian për Lirinë e Mendimit dhe në vitin 2010 mori Urdhërin Hero i Kosovës. Ai ishte, gjithashtu, për një kohë përfaqësues politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës gjatë viteve 1998-1999.
Demaçi, i cili studioi për letërsi, drejtësi dhe arsim, njihej si shkrimtar, sidomos me novelën e tij të titulluar “Gjarpinjtë e gjakut”, të vitit 1958. Pas luftës, Demaçi mori pjesë në politikë, ku mbajti disa poste në media dhe u përfshi më shumë në mbrojtjen e të drejtave të pakicave.
Dhe prestigjozja New York Times ka raportuar lajmin si shumë media të tjera ndërkombëtare duke e cilësuar Adem Demaçin si mbrojtës të të drejtave të njeriut dhe disident.
Udhëheqësit më të lartë të institucioneve të Kosovës kanë vlerësuar lart figurën e veprimtarit të njohur politik Adem Demaçi.
“Është shumë e vështirë ta pranojmë që simboli ynë i rezistencës, baca Adem, ka ndërruar jetë. Ishte gjithmonë i pathyeshëm dhe i papërkulur përballë çdo sfide. Baca Adem tërë jetën ia kushtoi Kosovës dhe ne gjithmonë do ta kujtojmë si udhërrëfyes dhe do ta kemi si zë ndërgjegjeje popullore”, është shprehur presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.
Ndërkaq, kryeministri Ramush Haradinaj ka vlerësuar se Demaçi, gjithë jetën ia kushtoi shërbimit për atdheun.
Liderët politikë e kanë cilësuar Demaçin edhe si hero të Kosovës. kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, ka deklaruar se “vepra e Demaçit shërbeu si burim frymëzimi jo vetëm për luftën e armatosur, por edhe për ndërtimin e shtetit të ri të Kosovës”.
Adem Demaçi pritet të varroset të shtunën, me ceremoni shtetërore./abcnews.al