Ndarja me Nike, Neymar: Gënjeshtra, ju tregoj të vërtetën time

schedule17:15 - 29 Maj, 2021

schedule 17:15 - 29 Maj, 2021

Neymar zyrtarizoi marrëveshjen me Puma në shtator të vitit 2020 dhe pati njëfarë habie për largimin nga gjiganti Nike, pasi kishte edhe 8 vite kontratë. Së fundmi ka informacione të reja, që e nxijnë sulmuesin brazilian të PSG-së.

“The Wall Street Journal” raporton se Nike dhe Neymar ndërprenë marrëveshjen, pasi kompania nisi hetimet pas pretendimeve të një punonjëseje për ngacmim seksual. Nike në asnjë moment nuk ka dhënë ndonjë arsye pse u nda nga një prej lojtarëve më të mëdhenj në botë për momentin.

Ylli brazilian i PSG-së ka reaguar me një postim në “Instagram”, aty ku ndalet te kjo çështje dhe ankohet se nuk ka pasur mundësinë për të mbrojtur veten. “Faktet mund të shtrembërohen sepse njerëzit i shohin ato nga kënde të ndryshme.

Nuk mund ta mohojmë që e tillë është jeta. E kuptoj edhe kur dikush kritikon sjelljen time, stilin tim të lojës apo edhe të jetës. Të gjithë jemi të ndryshëm nga njëri-tjetri. Unë me të vërtetë nuk e kuptoj se si një kompani serioze mund të shtrembërojë një marrëdhënie biznesi të mbështetur në dokument.

Fjalët e shkruara nuk mund të tjetërsohen, ata janë shumë të qarta dhe nuk lënë vend për dyshime. Që prej moshës 13-vjeçare, periudhë kur firmosa kontratën time të parë, gjithmonë jam paralajmëruar: mos flit kurrë për kontratat, ata janë konfidenciale.

Pavarësisht kësaj, unë kam dëgjuar njerëz që shprehen se kontrata ime u ndërpre, për shkakun pse nuk kam kontribuar me mirëbesim në një hetim. Kjo është absurde, është gënjeshtër. Nuk mund të bëj komente publike. Jam i indinjuar, por duhet t’i bindem rregullave.

Në vitin 2017 u ktheva në SHBA për një fushatë reklamuese, me të njëjtët persona por asgjë nuk është thënë, asgjë nuk ndryshoi. Kemi udhëtuar dhe bërë fushatë në vitet 2017, 2018 dhe 2019“, përfundon sulmuesi brazilian. /abcnews.al