Ndalohet në Spanjë Enver Bajri

schedule12:26 - 27 Tetor, 2018

schedule 12:26 - 27 Tetor, 2018

Në Spanjë është vënë në pranga Enver Bajri, i cili dyshohet si koka e grupit kriminal të “Bajrajve”. Në momentin e ndalimit, policia spanjolle i gjeti një pistoletë dhe 9 mijë euro. Një muaj më parë, Policia e Shtetit organizoi një operacion ku arrestoi disa pjestarë të grupit “Bajri” të cilët akuzohen për vepra të ndryshme penale. 

Koka e grupit kriminal “Bajri” është arrestuar në Spanjë. Lajmi është bërë i ditur nga Policia e Shtetit. Në njoftimin e saj thuhet se Enver Bajri u vu në pranga në një operacion të koordinuar mes policisë spanjolle, policisë italiane  dhe asaj shqiptare.

Ai u ndalua rreth orës 11:30 minuta të ditës së shtunë në San Huan, Alicante. Policia e Shtetit ishte në gjurmim të tij, duke përdorur metoda speciale të hetimit dhe në bashkëpunim me agjencitë e huaja ligjzbatuese.

Bajrit në momentin e ndalimit iu gjet një pistoletë, që e mbante pa leje dhe rreth 9 mijë euro. Ai është i dënuar edhe në Itali me 6.6 vite burg për veprat penale  “Organizim i emigracionit të paligjshëm”, “Shfrytëzim prostitucioni” dhe “Falsifikim.

Bajri dyshohet se është drejtuesi i grupit kriminal “Bajri”, që ishte aktiv kryesisht në zonën e Shkodrës dhe u godit disa javë më parë. Policia e Shtetit organizoi një operacion në lagjet Kiras e Dobraç të Shkodrës si dhe në Tiranë , duke vënë në pranga disa pjestarë të grupit kriminal, ndërsa shpalli në kërkim disa të tjerë.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!