Ndalohet në Serbi zv/ministri i Kosovës

schedule16:10 - 2 Janar, 2019

schedule 16:10 - 2 Janar, 2019

Nënkryetari i partisë Liberale të Serbëve të Kosovës, Boban Stankoviç është ndaluar të mërkurën nga policia në anën serbe të pikës kufitare të Merdarës. Lajmin për ndalimin e Stankoviç, njëkohësisht zëvendës ministër i Kulturës në Kosovë, e ka bërë të ditur kryeministri Ramush Haradinaj. Përmes një postimi në profilin e tij në Facebook, Haradinaj ka deklaruar se Stankoviç është ndaluar pa asnjë arsye dhe po merret në pyetje nga policia serbe.

Kreu i qeverisë së Kosovës ka ftuar autoritetet serbe të ndalojnë praktika të tilla, që kanë si qëllim ushtrimin e presionit ndaj qytetarëve serbë që duan të ndërtojnë jetën e tyre në Kosovë.

Postimi i plotë i Ramush Haradinajt

“Vazhdojnë provokimet dhe qasja jokonstruktive e shtetit serb ndaj qytetarëve të Republikës së Kosovës 
Sot në pikën kufitare në Merdare, është ndaluar nënkryetari i Partisë Liberale të serbëve të Kosovës si dhe zëvendësministër në Ministrinë e Kulturës Rinisë dhe Sportit, Boban Stankovic. Ai po mbahet nga zyrtarët policorë serb pa asnjë arsye dhe në bazë të informacioneve që kemi ai po merret në pyetje nga zyrtarë të BIA-së serbe.

Ftojmë autoritetet serbe që të ndalojnë praktikat tilla të presionit ndaj qytetarëve serb, të cilët duan ta ndërtojnë jetën e tyre në Republikën e Kosovës. Kosova është shtet i gjithë qytetarëve të saj dhe ne nuk do të pranojmë që në këtë formë të frikësohen qytetarët tanë”./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!