Ndalohet importi i shpendëve/ Gripi, bllokim shpendëve, mishit dhe vezëve nga 6 vende europiane

schedule15:52 - 6 Nëntor, 2024

schedule 15:52 - 6 Nëntor, 2024

Ministria e Bujqësisë ka shtuar masat për të kontrolluar përhapjen e gripit të shpendëve në Shqipëri. Ajo ka ndaluar importin e shpendëve të gjallë, vezëve dhe mishit të patrajtuar termikisht nga shtete ku  janë konstatuar raste  me influencë aviare. I ndaluar është gjithashtu dhe kalimi tranzit i këtyre produkteve në vendin tonë.

Bëhet fjalë për qytete të    Bullgarisë, Italisë, Polonisë, Hungarisë,  Sllovakisë dhe Çekisë. Urdhrat janë botuar në fletoren zyrtare. Produktet që vijnë nga vende të cilat nuk bëjnë pjesë në listë duhet të jenë të pajisura me certifikatë veterinare  që  garanton origjinën e saj.

Ndërkohë  Autoriteti Kombëtar I Ushqimit  për çdo ngarkesë me shpendë të gjallë apo nënprodukte të tyre të patrajtuara  duhet të informojë  Drejtorinë e Përgjithshme për  Sigurinë Ushqimore.

Një vatër me grip të shpendëve u  konstatua pak ditë me parë  dhe në një fermë oborri në Mëzez pranë Tiranës.  Shpendët u asgjësuan ndërsa  zona u karantinua.

Rreth 2 mijë e 300 ferma  me mbi 96 mijë shpendë  u kontrolluan dhe Ministria e Bujqësisë  tha se situata është nën kontroll.

Ndërkohë nga analizat  e kryera pranë Institutit të Shëndetit Publik aktualisht nuk është konstatuar asnjë rast I kalimit të gripit nga shpendët tek njerëzit.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!