Ndalohen prindërit e ish-kryeministrit Matteo Renzi

schedule22:50 - 18 Shkurt, 2019

schedule 22:50 - 18 Shkurt, 2019

Autoritetet në Itali kanë arrestuar prindërit e ish-kryeministrit Mateo Renzi. Ata akuzohen se kanë abuzuar me 3 kompani të cilat i kanë përdorur për të lëshuar fatura falso për operacione financiare. Duke reaguar, ish-kreu i qeverisë është shprehur i bindur për pafajësinë e familjarëve të tij.

Janë arrestuar dhe janë dërguar në arrest shtëpie prindërit e ish-kryeministrit të Italisë, Mateo Renci, të akuzuar për një seri mashtrimesh financiare. Sipas mediave italiane, masa e sigurisë ndaj çiftit Renci është propozuar nga Prokuroria e Firences dhe pranuar nga gjykata e këtij qyteti. Konkretisht, Ticiano dhe Laura Renci akuzohen se kanë qenë në zotërim të tre kooperativave, përmes të cilave kanë lëshuar fatura për veprime financiare fantazmë dhe që më pas kanë shpallur qëllimisht falimentim të rremë. Masa e sigurisë është dhënë pas konkretizimit të një hetimi të gjatë të Guardia di Financës, përmes të cilit është zbuluar se familja Renci krimet në fjalë i ka kryer përgjatë periudhës 2010-2018. Duke reaguar ish-kryeministri ka deklaruar se ka besim se drejtësia italiane do të nxjerrë të vërtetën. Ai është shprehur i paduruar për të ndjekur procesin gjyqësor, i bindur se akuzat ndaj prindërve të tij janë një fabrikim absurd. Renci, 44 vjeç, shërbeu si kryeministër i Italisë nga shkurti 2014 deri në dhjetor 2016, kur dha dorëheqjen pas dështimit të referendumit për reformën kushtetuese. Pas lajmit ai është detyruar të anulojë prezantimin e librit të tij që do të bëhej në Torino./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!