Ndalimi i fishekzjarreve, Lleshaj dhe Berisha replika në rrjete sociale  

schedule11:43 - 23 Dhjetor, 2018

schedule 11:43 - 23 Dhjetor, 2018

Fishekëzjarret do i mungojnë festimeve të këtij fundviti. Urdhri për ndalimin e tyre, i dalë nga Ministria e brendshme ka nisur të zbatohet rigorozisht, edhe falë bashkëpunimit mes institucioneve. Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj mbrojti përmes një postimi në tuiter, drejtësinë e këtij vendimi, si një shërbim ndaj sigurisë së qytetarëve.

“Ndalimi i përdorimit të lëndëve të rrezikshme piroteknike është shërbim ndaj sigurisë publike dhe jetës njerëzore. Ithtarët e eksplozivëve duhet të kuptojnë se në vendet normale, festat nuk bëhen as me shpërthime as me armë”.

Ky qëndrim i Ministrit të Brendshëm pasonte një reagim të ashpër në Facebook, të ish-kryeministrit Berisha. Ish-kreu i demokratëve e lidh këtë vendim që erdhi pas plagosjes së efektives Ina Nuka në protestën para Kuvendit, me frikën e kryeministrit Rama se mos lëndët piroteknike përdoren ndaj tij në shenjë pakënaqësie.

Pothuaj në çdo metropol apo qytet tjeter europian janë shënuar jo vetëm plagosje, madje edhe të rënda por ndonjëre edhe viktima nga përdorimi i pakujdesshem i tyre, natyrisht pakrahasimisht më pak sesa nga pijet alkolike. Por këto aksidente nuk janë përdorur në asnjë vend dhe asnjëherë si pretekst për ndalimin e përdorimit të fishekzjarreve. Ato kanë detyruar autoritetet që të përsërisin udhëzimet për përdorimin e tyre po jo ndalimin talebanesk të tyre.

Pra shqiptarët për herë të parë, madje në dallim edhe nga Korea e Veriut, do të kenë një vit të ri pa fishekëzjarre. As Babai shpirtëror i Edi Rames, Hitleri shqiptar i Pasluftes, Enver Hoxha nuk mori ndonjëherë një vendim të tillë”.

Vetë tregtarët nuk duken të gatshëm t’i japin zë rezervave të tyre, por jashtë kamerave shprehen të pakënaqur për sasitë e blera, në bazë të legjislacionit ekzistues. Ndalimi i prodhimit, importit e hedhjes në treg të lëndëve piroteknike dhe fishekzjarrëve për përdorim civil, u bë përmes një urdhri që u firmos pak ditë më parë nga ministri i Brendshëm, ministri i Mbrojtjes dhe ministri i Financave dhe Ekonomisë. /abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!