Kreu i PD-së Lulzim Basha ka reaguar në një deklaratë për media pas arrestimit të mbështetësve të PD-së në Librazhd, të cilët penguan eskortën e Ramës e cila po shkonte në drejtim të Përrenjasit.
Në mesin e të ndaluarve janë i Degës së PD-së Librazhd Bujar Vreto, si edhe ish-deputeti Aurel Bylykbashi. Basha i ka quajtur këto veprime reprezalje të hapura politike kundër kundërshtarëve politike.
“Këto veprime janë reprezalje të hapura ndaj kundërshtarëve dhe qtytetarëve që protestojnë kundër regjimit të Edi Ramës. Ato vijnë pas arrestimeve dhe ndalimeve të 500 mbështetësve të opozitës. Mbeten akoma në burg në mënyrë të paligjshme mbi 50 qytetarë. Ky është bilanc regjimesh represive dhe jo të një vendi evropian. Sistemi i drejtësisë është shpartalluar, Parlamenti është shpartalluar. Edi Rama ka vendosur në Shqipëri një pushtet autokratik jashtë Kushtetutës. Pasi vuri në nën kontroll të gjitha pushtetet, tani po i përdor për të ushtruar dhunë ndaj kundërshtarëve. Në këtë aventurë, Edi Rama mbështetet nga Sandër Lleshaj dhe Arta Marku. Ju bëj thirrje policëve dhe prokurorëve që e ndjenë veten pjesë të ligjit që të mos u binte urdhrave të paligjshme të autokratit të inkriminuar, Edi Rama. Këto akte thjeshtë po thellojnë me shpejtësi gropën ku ka rënë Edi Rama. Asgjë dhe askush nuk e ndal betejën tonë për Shqipërinë si gjithë Evropa. Asnjë hap pas deri në triumfin e demokracisë ndaj narkoshtetit”, tha Basha./abcnews.al