Mbrëmjen e së enjtes, “legjionarët” e Kombëtares sonë do të presin në mitikun “Air Albania”, përfaqëuesen e Çekisë, në përballje e vlefshme për kualifikueset e Kampionatit Evropian të futbollit, Euro 2024, sfidë e cila pritet të jetë vendimtare në lidhje me kualifikimin e “shqiponjave” tona në fazën e grupeve të kompeticionit më të rëndësishëm për ekipet Kombëtare në Evropë.
Ashtu siç e do zakoni para sfidës u zhvillua dhe konferenca e zakonshme për shtyp, nga e cila tekniku Sylvinho fillimisht u ndal te rëndësia e përballjes së nesërme dhe më pas dha lajmi e “hidhur” për futbolldashësit, duke konfirmuar kështu mungesën e “bomberit” Armando Broja, në sfidën e nesërme.
“Kemi përpara 3 finale, nesër do të jetë e para dhe nuk do të jetë aspak e lehtë, por ne jemi gati për t’u përballur. Siç e tha edhe Gjimshiti patjetër që është një ndeshje shumë e vështiër, por nuk është ndeshja që do të vendosë për kualifikimin. Luajmë ndaj një kundërshtari shumë të fortë fizikisht, që ka pësuar vetëm 2 gola dhe akoma asnjë humbje. Kemi shumë punë për të bërë dhe shumë djerë për të derdhur.
Përsa i përket Brojës duhet të jap një lajm të keq, ka qenë me skuadrën për vetëm 2 ditë dhe pas konsultave me mjekun tonë dhe me mjekët e Chelsea, ai nuk do të jetë i gatshëm për përballjen e nesërme. Përsa i përket Gjasulës, gjithçka është në rregull dhe ai është gati për të luajtur”,- u shpreh tekniku Sylvinho.
Konferenca e plotë për shtyp e teknikut Sylvinho:
Ndeshja?
Siç e tha edhe Gjimshiti, na pret një ndeshje e rëndësishme dhe e vështirë, por jo vendimtare. Çekia është një skuadër fizike, nuk ka humbur ende. Ata kanë pësuar vetëm dy gola. Na pret një punë e madhe, duhet të djersijmë shumë. Na presin 3 finale, nuk do të jenë të lehta, por jemi gati dhe të përgatitur.
Aspekti psikologjik?
Ne i vizitojmë dhe takojmë gjithmonë futbollistët. Takum Muçin në Varshavë, ikëm në Barcelonë, Londër. E përsëris: jemi të ndërgjegjshëm që kemi bërë mirë deri këtu. Forca e kësaj skuadre është shpirti i garës, zemra që vendosin lojtarët në fushë dhe tifozët. Jemi shumë të ndërgjegjshëm për entuziazmin, por kjo nuk është problem. Nuk kemi pasur shumë nevojë të punojmë psikologjikisht, djemtë janë gati dhe të ndërgjegjshëm.
Broja?
Kemi bërë dy seanca stërvitore. Më vjen keq, por Broja nuk ia del dot. Është stërvitur shumë pak. Ka një shqetësim fizik, doktori ynë ka qenë në kontakt edhe me doktorin e Chelsea. Më vjen keq, por lojtari nuk luan dot nesër. Kemi lojtarë të tjerë, të cilët duhet t’i menaxhojmë mirë. Gjasula është rikthyer, nuk ka probleme.
Ndeshja më e rëndësishme?
Një ndeshje që e menaxhoj si të tjerat. Të gjithë ndeshjet janë të vështirë, por kjo është më e rëndësishmja për mua si trajner. Por nuk është vendimtare. Na duhen pikë, duhet të marrim pikë dhe do të bëjmë maksimumin për t’ia arritur objektivit.
Ndeshja?
Është shumë e rëndësishme të tregojmë shpirtin dhe zemrën në fushë, për tifozët tanë. Kjo është forca e kësaj skuadre. Dhe kështu do të ndodhë.
Taktika?
Pak a shumë e njëjtë me ndeshjen e parë. Ata janë të fortë, janë të fortë në tranzicion, bëjnë zbritje me 5-6 lojtarë. Janë të fortë edhe në goditjet standarte. Duhet të përgatitemi shumë mirë.
Presioni?
Ndryshojnë dy gjëra krahasuar me ndeshjen e parë: luajmë në shtëpi dhe kanë mbetur edhe dy takime më pas. Kemi lojtarë me eksperiencë, si Gjimshiti, Hysaj, Strakosha dhe lojtarë të tjerë. Lojtarë që janë mësuar me këto lloj takimesh. Ndihem shumë mirë, njerëzit mbështetin dhe kanë besim edhe te lojtarë si Uzuni, Muçi, Asani.
Më pëlqen edhe fakti që janë të njohur lojtarë. Njerëzit thonë se kjo është një skuadër e organizuar dhe me vlera. Kjo më gëzon. Në fushë mund të ndodhë gjithçka. Nesër do të shohim një ndeshje shumë të bukur.
Lojtarët nga Kosova te Shqipëria si Daku dhe Muja, do të ketë të tjerë?
Jam i fokusuar vetëm te Çekia. Kemi lojtarë nga Kosova, Maqedonia e Veriut, nga gjithë trevat shqiptarë. Pak rëndësi ka nga është origjina e një futbollisti. Nëse lojtarët janë në gjendje të luajnë me ne, kanë cilësitë e duhura dhe e ndjejnë, atëherë mirë se të vinë. Daku dhe Mija janë lojtarë shumë të mirë, po bëjnë shumë mirë me Shqipërinë.
I kënaqur me barazim?
Nëse nuk fitojmë dot, atëherë barazimi pranohet. Por ne do të futemi në fushë për të fituar ndeshjen.
Qazim Laçi, mund të jetë në formacion?
Nuk e kemi vendosur ende formacionin, edhe pse është vendosur rreth 80%. Kemi ende për të parë gjendjen e lojtarëve. Nesër do të vendosim. Ndoshta e shohim Laçin në fushë, por nuk kemi vendosur ende”, përfundoi trajneri i Shqipërisë. /i.m /abcnews.al