Ndahet nga jeta Rustem Peçi, kreu i Komitetit Kombëtar të Veteranëve të LANÇ

schedule11:22 - 6 Prill, 2021

schedule 11:22 - 6 Prill, 2021

Kryetari i Organizatës Kombëtare të Veteranëve të LANÇ, Rustem Preçi, ka humbur betejën me Covid-19, duke u ndarë kështu nga jeta. Lajmi është bërë i ditur nga Kryesia e Komitetit Kombëtar dhe familjarët.

Mësohet se homazhet e nderimit për përcjelljen e tij do të bëhen sot, datë 06.04.21 nga ora 14-15 tek Muzeu Historik Kombëtar.Në lidhje me këtë humbje, ka reaguar edhe deputeti socialist Taulant Balla, i cili përmes një statusi në “Facebook”, vlerëson të gjitha kontributet që i ndjeri ka dhënë ndër vite.

Postimi i plotë i Taulant Ballës: “U prehsh në paqe miku ynë i vyer Rustem Peçi, Kryetar i Organizatës Kombëtare të Veteranëve të LANÇ!

Organizata Kombëtare e Veteranëve të LANÇ ka dhënë dhe do të vazhdojë të japë një kontribut të pazëvendësueshëm e të përhershëm në mbrojtje të idealit të luftës për liri dhe dinjitet kombëtar.

Edukimi i gjeneratave të reja me ndjenjat e atdhedashurisë dhe patriotizmit është sfidë e rëndësishme për të ardhmen.

Partia Socialiste e Shqipërisë i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Peçi dhe gjithë anëtarëve të Organizatës Kombëtare të Veteranëve të LANÇ.”

Ndërkohë edhe Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të veteranit Rustem Peçi.

“Me trishtim të thellë mora vesh lajmin e ndarjes nga jeta të veteranit e patriotit Rustem Peçi, Kryetar i Komitetit Kombëtar të Organizatës së Veteranëve të Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare të Popullit Shqiptar.

Rustem Peçi ishte një veteran, antifashist dhe patriot, i cili që në moshë mjaft të re u aktivizua në  Luftën Çlirimtare si pjesëtar i rinisë antifashiste.  Si ushtarak, Rustem Peçi i shërbeu me përkushtim atdheut në të gjitha detyrat e larta me të cilat është ngarkuar.

Si drejtues për një kohë të gjatë i Organizatës së Veteranëve të LANÇ-Nderi i Kombit, kësaj organizate të nderuar 64-vjeçare, Rustem Peçi ka kontribuar për mbajtjen gjallë të vlerave antifashiste dhe edukimin e vajzave e djemve të Shqipërisë me respektin e nderimin për historinë, Luftën Antifashiste Nacional-Çlirimtare, lirinë dhe atdheun.

Rustem Peçi ishte dhe do të kujtohet përgjithmonë si mishërimi i vlerave më të larta të ushtarakut, patriotit, veteranit dhe edukatorit antifashist, shkruan në mesazhin e tij Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi. E.L/abcnews.al/