Ndahet nga jeta regjisori i njohur Mihal Luarasi

schedule19:17 - 30 Tetor, 2017

schedule 19:17 - 30 Tetor, 2017

Ka ndërruar jetë për shkaqe natyrore, në moshën 88 vjeçare, dramaturgu dhe regjisori i njohur Mihal Luarasi.
I lindur në Korçë në vitin 1929, pas mbarimit të Liceut Artistik në Tiranë, Luarasi kryen studimet e larta, në akademinë e Arteve të Teatrit e Filmit në Budapest të Hungarisë.
Luarasi spikati me sukses që në debutimin si regjisor në teatër, me dramën e njohur të Shilerit “Intrigë dhe dashuri” në vitin 1957. Suksesi vijoi edhe me pjesë të tjera deri në vitin 1969, kur me dramën “Njolla të murrme”, me të cilën fitoi të gjitha çmimet e para në Festivalin kombëtar të teatrit të atij viti, nisën problemet, pasi vetë Enver Hoxha, që e pa pjesën tre ditë më vonë, e konsideroi vepër armiqësore.
Historia u përsërit në festivalin e 11 të RTSH në vitin 1972, ku edhe bashkëshortja e tij Edi Luarasi ishte bashkëpreantuese. Diktatori urdhëroi burgosjen e Mihal Luarasit. U dënua me 8 vite burg, pas përfundimit të të cilave, punoi si bojaxhi deri në vitin 1990.
Në dhjetor të 90-s u largua në Hungari ku vazhdoi karrierën si regjisor. Rikthehet në Tiranë me ftesë të teatrit kombëtar ku vijon karrierën si regjisror, por edhe si autor dramash, e në vitin 2003, vendos kthimin përfundimtar në Shqipëri.
Për kontributin e tij të gjatë, Mihal Luarasi ishte nderuar me titujt e lartë “Nderi i Kombit” dhe “Artist i popullit”.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!