Është ndarë nga jeta në moshën 99-vjeçare ikona e Hollywood-it, Betty White. Agjenti dhe miku i saj i ngushtë, Jeff Witjas, i tha revistës People në një deklaratë: “Edhe pse Betty ishte gati të mbushte 100 vjeç, mendova se ajo do të jetonte përgjithmonë.
“Do të më mungojë tmerrësisht ajo dhe po ashtu edhe bota e kafshëve që ajo e donte aq shumë. Nuk mendoj se Betty ka pasur ndonjëherë frikë nga vdekja, sepse ajo gjithmonë donte të ishte me burrin e saj më të dashur Allen Ludden. Ajo besonte se do të ishte përsëri me të.”
White u nda nga jeta vetëm disa javë para ditëlindjes së saj të 100-të, më 17 janar. Ndarja nga jeta e aktores vjen pak pasi ajo dha një intervistë ndërsa po i afrohej ditëlindjes së saj të 100-të.
Ajo tha për revistën People: “Jam shumë me fat që jam me shëndet kaq të mirë dhe ndihem shumë mirë në këtë moshë. Është e mrekullueshme.”
Ikona amerikane e televizionit dhe filmit lë pas një trashëgimi mbi 75 vjeçare, me punën e saj të parë profesionale në industrinë e argëtimit në vitin 1939. /abcnews.al