Ndahet nga jeta në moshën 54 vjeçare ish deputeti i Partisë Socialiste, Andis Harasani. Lajmin e trishtë e kanë bërë të ditur familjarë të ish deputetit, i cili nuk mundi t’i mbijetojë betejës së kancerit.
“Të dashur familjarë dhe miq, Me dhimbje të thellë, ju njoftojmë për humbjen e parakohshme të njeriut tonë të shtrenjtë, babait, bashkëshortit, djalit, vëllait dhe mikut tonë të dashur, Andis Harasani. Andisi ynë luftoi me të gjitha forcat, besimin dhe vendosmërinë që e kanë karakterizuar gjithmonë. Ai luftoi për jetën dhe nuk ndaloi kurrë së ofruari dashuri, mbështetje dhe forcë për të gjithë ne. Me keqardhje të thellë, duhet të pranojmë se nuk ia doli të fitojë betejën kundër kancerit.
Unë, Thea dhe Henry, do të jemi përjetësisht mirënjohës për këtë rrugëtim të paharrueshëm jete që ndamë me të.Ti do të mbetesh gjithmonë në zemrat tona, si njeriu më i shtrenjtë, me humorin tënd të veçantë, mençurinë dhe guximin për të ecur përpara. Do të na mungosh pafundësisht, dashuria jonë! Detajet për ceremoninë e lamtumirës do të ndahen në ditët në vazhdim.”, ka shkruar ajo.
Harasani shërbeu si deputet i PS në periudhën 2005-2009. Gjatë mandatit të tij, ai ka pasur një rol të rëndësishëm në politikat energjetike të Shqipërisë, duke drejtuar Korporatën Elektroenergjetike Shqiptare (KESH) nga viti 2002 deri në 2005. Pas largimit nga jeta politike, Harasani u shpërngul në SHBA./abcnews.al

