Aktori Willie Garson, i njohur përmes rolit të Stanford Blatchin në serialin e njohur, “Sex and the City”, ka ndërruar jetë mbrëmë në moshën 57-vjeçare.
Lajmin e hidhur e ka bërë të ditur djali i tij, Nathen Garson.
“Të dua shumë babi. Pusho në paqe dhe jam i lumtur që pate mundësinë t’i ndash të gjitha aventurat tua me mua, dhe munde të arrish aq shumë gjëra në jetë. Jam jashtëzakonisht krenarë me ty. Ti gjithmonë ishte personi më i fortë, qesharak dhe i mençur që kam njohur,” ka shkruar Nathen në një postim në Instagram.
Ndërkohë nuk dihen ende shkaqet e vdekjes së aktorit, sakaq zëdhënësit e tij nuk kanë pranuar të deklarohen për media. Por besohet se ai ka vdekur nga shkaqe natyrale pas një sëmundjeje të shkurtër.
Kujtojmë që në serialin “Sex and the City”, Willie Garson ishte pjesë për gjashtë sezone. Ai e përsëriti këtë rol krahas aktoreve, Sarah Jessica Parker, Kim Cattrall, Cynthia Nixon dhe Kristin Davis, edhe në filmat e suksesshëm të arkave filmike “Sex and the City” dhe “Sex and the City 2”, si dhe ishte duke xhiruar për edicionin special të këtij projekti me titull, “And Just Like That”.