NBA/ Spektakël nga Jokic e Doncic, dy ballkanasit sërish më të mirët në elitën amerikane

schedule11:36 - 1 Prill, 2024

schedule 11:36 - 1 Prill, 2024

Ishte në dyshim, por alarmi duhet të ketë qenë i rremë. Raporti mjekësor thoshte se Nikola Jokic mund të mos luante për Dencer, në sfidën ndaj Cleveland, por kapiteni u shërua në kohë, me “yllin” serb, që udhëhoqi skuadrën nga Kolorado në një fitore të rëndësishme në shtëpi, 130-101, duke lënë pas humbjen ndaj Minnesota Timberwolves.

Për më tepër, Jokic, që luan edhe qendër, edhe anësor, edhe organizator, siguroi sërish tre shifra dopio, duke regjistuar 26 pikë, 18 topa të kapur në tabelë e 16 asistime, duke u bërë kështu i pari basketbollit në NBA, që arrin këto shifra që nga Oscar Robertson në 1965, teksa këtë sezon kapiteni i Denver ka tre ndeshje me të paktën 25 pikë, 15 topa në tabela e 15 asistë e në sezon, këto janë gjashtë.

Jo më kot, ai është “ylli” me më suhmë “triple double” këtë edicion, plot 23 të tilla, kur duhen edhe 7 ndeshje deri në mbyllje të fazës së rregullt. Nuggets është në vendin e tretë në Konferencën e Perëndimit, por duke qenë vetëm një humbje prapa Minessota dhe Oklahoma.

Ndërkaq, ballkanasi tjetër nuk është se mbeti prapa, me “magjistarin” slloven, Luka Doncic, që vërtet nuk pati dy shifra në të tre elementët kryesorë të lojës, por ishte i papërmbajtshëm në fitoren e Dallas, teksa ishte protagonisti absolut në triumfin 125-107, në “derbin e Teksasit”, ndaj Houston, duke arritur të shënojë plot 47 pikë.

Këtyre pikëve u shtoi 12 topa në tabela e 7 asistë, duke qenë me diferencë më i miri i ekipit, pavarësisht se luante jashtë fushe, teksa pas tij mes më të mirëve të sfidës ishte Kyrie Irving, me 24 pikë e 7 asistime. Falë një lideri si Doncic, Dallass ka 9 fitore në 10 ndeshjet e fundit dhe synon vendin e katërt në Perëndim. /i.m /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!