Deri në fund të sezonit të rregullt ka ende shumë kohë, por për momentin NBA ka një favorit absolut.
Ai është Klivlend, që nuk njeh humbje në këtë edicion të basketbollit amerikan.
Kavaliers po jetojnë me triumfin, me 11 fitore në po aq ndeshje, duke vendosur edhe një rekord historik për skuadrën me nisjen me ecurinë më të mirë të të gjitha kohërave.
Në rrugën e ekipit nga Ohajo u dorëzua edhe Bruklin Nets, pavarësisht rezistencës së fortë, të konfirmuar nga rezultati I ngushtë 105-100 në favor të Klivlend.
Moblej ishte edhe një herë njeriu i suksesit për Kavaliers. Ai mbylli ndeshjen me dy shifra dopjo 23 pikë dhe 16 topa në tabelë.
Nuk zhgënjyen as dy yjet e tjerë, Miçëll dhe Garland, përkatësisht me 22 dhe 20 pikë.
Një sfidë emocionuese në mbrëmjen e fundit të NBA ishte ajo mes Los Anxheles Klippers dhe Toronto.
Skuadra kaliforniane arriti të fitojë me vetëm dy pikë diferencë në shifrat e përgjithshme 105-103.
Xhejms Harden duket se është kthyer në formën e tij më të mirë, pasi ishte vendimtar për Klippers me 24 pikë dhe 12 topa të kapur në tabelë.
Nuk munguan edhe fitoret në transfertë.
Çikago Bulls triumfoi 125-113 në fushën e Atlanta, ndërsa Jutah Xhez fitoi derbin kundër San Antonio, duke zbehur një tjetër mbrëmje të madhe të Viktor Uembanijama. /abcnews.al