NBA, Novicki ndeshja e fundit në shtëpi

schedule19:57 - 10 Prill, 2019

schedule 19:57 - 10 Prill, 2019

Dirk Novicki luajti ndeshjen e fundit përpara publikut të tij në basketbollin amerikan. Ylli gjerman shkëlqeu në fitoren e Dallasit ndaj Feniksit, ndërsa do t’i japë fund një karriere të nisur që nga viti 1998.

I mbetet edhe një ndeshje për t’i dhënë fund.

Dirk Novicki pati një ndarje emocionale me rreth 20 000 spektatorë në Arenën e Dallasit, duke luajtur ndeshjen përmbyllëse aty, dhe të parafundit në karrierë.

Ai e festoi siç duhet duke shënuar 30 pikë, e përveç tyre, kapi edhe 8 topa në tabela dhe shërbeu 3 pasime për kosh.

Dallasi fitoi 120-109 ndaj Feniksit, duke i dhënë Dirkut kënaqësinë e një fundi të suksesshëm të një karriere të madhe, të paktën përpara publikut të tij.

Veterani gjerman pati në krah edhe yllin e ri të skuadrës, sllovenin Luka Donçiç që realizoi një tripëll dabëll, me 21 pikë, 16 topa në tabela e 11 pasime për kosh.

Novicki i jep fund një epoke të madhe në NBA, nisur në vitin 1998, duke u bërë i vetmi lojtar që luan 21 sezone me një skuadër të vetme.

Ai është europiani i vetëm që ka kaluar sasinë e 30 000 pikëve të shënuara, duke qenë në vend të 6-të të të gjitha kohëve, me 31 540 pikë, i lënë pas vetëm nga legjendat Çembërlen, Karl Maloun, Brajant e Lebron Xhejms e Majkëll Xhordan.

Novicki ishte lideri i Dallasit që fitoi titullin e parë dhe të vetëm kampion të NBA-së në 2011, duke u shpallur edhe lojtari më i mirë i atij sezoni.

Gjermani shtatlartë, 2.13 metra, do të mbahet mend si përfaqësues i brezit të dytë europian në basketbollin amerikan, pas Drazhen Petroviçit, Arvidas Sabonisit apo Toni Kukoçit, por padyshim si lojtari më i mirë europian i të gjitha kohëve në NBA, edhe mbi Toni Parkerin./abcnews.al