NBA/ Minnesota dhe Golden State nuk gabojnë, Milwaukee e bën “baltë”

schedule15:39 - 16 Shkurt, 2024

schedule 15:39 - 16 Shkurt, 2024

Në tri ndeshjet e fundit të NBA, para pauzës së All Astar Game, spikati disfata e Milwaukee Bucks që u mposhtën 113-110 përballë Memphis Grizzlies. Një surprizë e hidhur për Bucks në Memphis , edhe pse Grizzlies rrezikuan të shpërdoronin avantazhin kur kryesonin 113-104. 49 sekonda larg sirenës përfundimtare.

Tripikëshat e Beasley rihapën lojën. Pastaj Lillard dështoi në gjuajtjen e tij që mund të kishte çuar takimin në shtesë. Nuk shërbyen shifrat prej 35 pikësh dhe 12 asistesh të Giannis Antetokounmpo. Po ashtu edhe 24 pikët e Dame.

Në radhët e Grizlies rezultuan vendimtare nga 27 pikë për kokë që shënuan Ziaire Williams dhe Jackson. Kjo humbje largon Milwaukee nga vendi i dytë në Konferencën e Lindjes. Ndërsa në Perëndim, Memphis mbetet në vendin e tretë nga fundi.

E ekzagjeroi ndërkohë Minessota me një sukses të thellë, 91-128 në shtëpinë e Portland Trail Blazers. Timberwolves e nisën shumë mirë dhe jo rastësisht pas 12 minutave të para krijuan një avantazh prej plot 30 pikësh, (44-14). Blazers përgjysmuan distancat dhe në gjysmë të takimit rezultati ishte 66-51.
Por në kthimin në parket kryesuesit e Perëndimit krijuan sërish hendekun e sigurisë. Për ta fituar takimin me rezultatin e thellë. Protagonist absolut Anthony Edwards, i cili shënoi 34 pikë. Nuk i mjaftuan ndërkohë skuadrës nga Oregon 20 pikët e Grand.

Në Konferencën e Perëndimit, Minnesota prezantohet në All Star Game (Indianapolis) me 39 fitore e 16 humbje. Ndërkohë që Portland shkon si vendi i parafundit.

Po në Perëndim, Golden State fitoi përballjen e drejtpërdrejtë në zonën play-in ndaj Utah Jazz. Me rezultatin e ngushtë 137-140, duke “blinduar” vendin e dhjetë. Gjithsesi, edhe një herë Warriors rrezikuan përmbysjen, pasi 12 minuta nga fundi formacioni i Kerr kishte një avantazh prej 18 pikësh.

Por të zotët e shtëpisë reduktuan distancën deri në një pikë, 138-137, edhe pse i lejuan dy goditje të lira Steph Curry dhe më pas Sexton dështoi në goditjen e fundit në rënien e sirenës për ta çuar takimin në shtesë.

Thelbësore për skuadrën nga San Francisco ishin 35 pikët nga stoli të Klay Thompson, i cili shënoi 7 tripikësha, ndërsa në radhët e Utah rezultuan të padobishme 35 pikët e Sexton./ h.ll/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!