Lebron Xhejms tregoi se mbetet sërish një yll i basketbollit amerikan në ndeshjen ndaj Utah Jazz. Lojtari më i mirë në botë udhëhoqi Lakers në fitoren e parë të sezonit.
Hierarkia nuk ndryshon dot aq shpejt. NBA mund të jetë sot “zotërimi” i Kawhi Leonard, ndërsa të tjerë të shkëlqyer si Harden, Durant, Curry, Westbrook apo Irving mund të kenë pretendime për “fronin”. “Mbreti”, gjithsesi, ende quhet LebBron James, ndonëse është 34 vjeç e më shumë.
Superylli, i cili ka dominuar dekadën e fundit, tregoi se mbetet në nivelet më të larta, ndërsa Lakers arritën fitoren e parë të sezonit, në ndeshjen e parë në shtëpi. Suksesi ndaj Utah Jazz nuk është se ishte i shkëlqyer, pasi u shënuan pak pikë (95-86), veçse LeBroni ishte në një kulm.
Shënoi 32 pikë, kapi 7 topa në tabela dhe shërbeu 10 pasime për kosh. Ishte i saktë në gjuajtjet për 2 pikë dhe gjuajtjet e lira, ndërsa gaboi më shumë nga distanca. Në dhjetor ai mbush 35 vjeç, ndaj nxiton shumë për të fituar tituj.
Lebron është tri herë kampion i NBA-së, shumë pak për një legjendë të tillë, ndonëse ka luajtur në 8 finale radhazi. Padyshim, James pati meritë, duke ndihmuar edhe yllin e ri të ekipit, Anthony Davis , që shënoi 21 pikë dhe kapi 7 topa në tabela.
Davis shkëlqeu sipas mënyrës së tij, me 2 vjedhje dhe 5 bllokime gjuajtjesh, ndërsa pjesa tjetër e skuadrës së Lakers nuk ishte në nivelin që kërkohet. Sidoqoftë, me një LeBron të tillë pretendimet për titull mund të ekzistojnë. /ABC NEWS ALBANIA 24/7
NDESHJET E DITËS NË NBA
Los Angeles Lakers-Utah Jazz 95-86
Charlotte Hornets-Minnesota Timerwolves 99-121
Boston Celtics-Toronto Raptors 112-106
Brooklyn Nets-NewYork Knicks 113-109
Oklahoma Cuty Thunder-Washington Wizards 85-97
Memphis Grizzlies-Chicago Bulls 102-110
New Orleans Pelicans-Dallas Mavericks 116-123
Denver Nuggets-Phoenix Suns 108-107
Sacramento Kings-Portland Trail Blazer 112-120