LeBron James shkëlqeu për të tretën ndeshje radhazi, duke i dhënë Lakers fitoren ndaj Chikago Bulls. Skuadra nga Kalifornia ndodhet në vend të parë në basketbollin amerikan.
I paska munguar një mbështetje për të treguar veten deri në fund. Lebron James vërteton shprehjen “trimi i mirë me shokë shumë”, pasi ka transformuar fatin e Lakers që nga mbërritja e Anthony Davis. Me një yll të tillë në krah, James e ka më të lehtë të bëjë diferencën në duelet e ligës më të fortë të basketbollit në botë, NBA-së.
Frymëzimi i tij ishte i papërshkrueshëm në ndeshjen ndaj Çikagos, duke bërë të mundur një përmbysje të madhe, edhe pse mosha 34-vjeçare nuk mund të quhet shumë e përshtatshme. Vendasit kryesuan me epërsi deri në 19 pikë, por përballë patën LeBronin, i cili vendosi fatin e përballjes në periodën e katërt.
“Mbreti” i basketbollit pati 30 pikë, 10 topa në tabela e 11 asiste në 35 minuta lojë, duke shtuar edhe dy vjedhje topi si dhe një bllokim gjuajtjeje. Ai regjistroi “triple-double” për të tretën herë radhazi këtë sezon.
Davis nuk ishte në ditën e tij më të mirë, pasi realizoi vetëm 15 pikë e kapi 7 topa në tabela. Kontribut dhanë edhe lojtarët e tjerë si McGee, Kuzma apo Cook. Chicago Bulls u përpoq shumë dhe u udhëhoq nga Zach LaVine, i cili shënoi 26 pikë, kapi 7 topa në tabelë dhe shërbeu 7 pasime për kosh. Gjithsesi LeBron ishte më lart dhe nuk mund të përballohej.
Me këtë fitore, Lakers janë në krye të Konferencës Perëndimore të NBA-së, përpara rivalëve si Denver, Clippers apo Dallas Mavericks, madje kanë bilancin më të mirë në kampionat deri tani.
NDESHJET E DITËS NË NBA
Charlotte Hornets-Indiana Pacers 122-120
Cleveland Cavaliers-Boston Celtics 113-119
Atlanta Hawks-San Antonio Spurs 108-100
Chicago Bulls-Los Angeles Lakers 112-118
Oklahoma City Thunder-Orlando Magic 102-94
Denver Nuggets-Miami Heat 109-89
/ABC NEWS ALBANIA 24/7