Ishte një nga kulmet e mbrëmjes.
Një duel mes Luka Doncic e Lebron James nuk është diçka që ndodh përditë edhe në një ligë të jashtëzakonshme si NBA.
Kjo ngjau në përballjen mes dy ekipeve të shquar si Dallas Maveriks e LA Lakers, që u fitua nga vendasit. Dallasi triumfoi 104-101, në një përballje të vështirë, që pati shkëlqimin e dy yjeve të mëdhenj në parket.
Doncic triumfoi duke shënuar 30 pikë, ndërsa shtoi 12 topa në tabela e shërbeu 8 asistë. Për fare pak nuk arriti dot një triple double.
Lebron u përgjigj me 26 pikë, 9 topa në tabela e 7 asistë, duke treguar se mosha 39-vjeçare nuk e pengon aspak të jetë në nivele tepër të larta. Një ditë më parë, legjenda e gjallë e basketbollit kaloi kufirin e 39 000 pikëve të shënuara në karrierë, i pari që e bën këtë në historinë e NBA-së.
Dallasi u ndihmua edhe nga Kajri Irving që shënoi 28 pikë, ndonëse kapiteni mbetet basketbollisti nga Sllovenia, Luka Doncic./ h.ll/abcnews.al