Mund ta ndjejë veten si një ekip me emër tepër të madh. Nuk është gjë e vogël të përfaqësosh Nju Jorkun, qytetin më të lavdishëm të historisë moderne të botës, dhe skuadra e basketbollit e di këtë shumë mirë.
Gjithsesi, të mbiquajturit “Niksat” nuk kanë qenë aspak në nivelin që kërkon qyteti i tyre, qendra e biznesit dhe e financave amerikane dhe botërore, ndonëse ky brez po përpiqet pa masë që t’ia dalë.
Nju Jork Niks arriti fitoren e 8-të radhazi këtë sezon në NBA, duke kaluar një rival shumë të fortë si Denverin me rezultatin 134-127.
U deshën dy kohë shtesë, pra 58 minuta vetëm lojë e kronometruar që të përcaktohej fituesi në “Medison Skuer Garden”, ndërsa në total rreth 20 000 spektatorët në Arenë mbetën në tribuna për rreth 3 orë.
Sfida ishte e shkëlqyer me lojë sulmuese dhe mbrojtje që shpesh nuk ekzistonin, siç është moda e viteve të fundit në NBA, ndërsa njujorkezët u udhëhoqën nga Xhejlën Braun, më I miri I tyre me 42 pikë, 8 topa në tabela e 9 asistë.
U dalluan edhe Karl-Entoni Tauns me 24 pikë e 12 topa në tabela, Anunobi me 20 pikë dhe Shamet me 16.
Denverit nuk i mjaftoi shkëlqimi i kapitenit, Nikola Jokiç, me 30 pikë, 14 topa në tabela e 10 asistë.
Ylli serb u ngjit në vendin e dytë në renditjen e të gjitha kohëve për tripëll dabëlla, me 181, po aq sa Oskar Robertson, dhe kjo ndodhi pasi shërbeu asist për Harduejn kur duheshin edhe 46 sekonda deri në përfundim të ndeshjes.
Niksat janë në vendin e dytë në Lindje me 33 fitore e 18 humbje, lënë pas vetëm nga kryesuesi Detroit që ka vetëm 12 humbje.
Gjithsesi, shanset janë të mira që të synohet titulli këtë sezon. Do të ishte titulli i tretë në histori dhe i pari pas plot 53 viteve.


