NBA/ Clippers i “falen” kundërshtarëve, Oklahoma e Minnesota lëshojnë kreun në Perëndim

schedule12:16 - 7 Shkurt, 2024

schedule 12:16 - 7 Shkurt, 2024

Gjithçka po shkonte në mënyrë perfekte, mirëpo sfidat e fundit të kampionatit më elitar të basketbollit në botë, NBA ka sjellur goxha të papritura, me dy ekipet e kreut, në Konferencën e Perëndimit, Minnesota Timberwolves e Oklahoma City Thunders, që kanë humbur sfidat e tyre, duke ia dorëzuar vendin e parë të tabelës, kalifornianëve të Los Angeles Clippers.

“Ujqërit” e Minnesota u janë dorëzuar pas kohësh shtesë, “Demave” të Chicago, me këta të fundit që fituan me rezultatin e ngushtë 129-123, ku padyshim protagonistët absolut ishin DeMar DeRozan, me 33 pikë, 3 kapje në tabelë e 5 asistime, si dhe Coby White, po me 33 pikë, 5 kapje në tabelë e 7 asistime, duke nxjerrë “të pavlefshme” 71 pikët e shënuara nga dyshja e Timberwolves, Karl-Anthony Towns e Anthony Edwards.

Në krahun tjetër, “Të Rrufeshmit” e Oklahoma City humbën në transfertën e Utah Jazz, me rezultatin 124-117, ku protagonist absolut për vendasit ishte 26-vjeçari finalndez, Lauri Markannen, me dy shifra dopio, 33 pikë, 11 kapje në tabelë e 2 asistime, duke “eklipsuar” kështu treshen e Thunders, Jalen Williams, Chet Holmgren e Shai Gilgeous-Alexander, me këta të fundit, që realizuan plot 76 pikë në total.

Performanca zhgënjyese e radhës vjen nga Konferenca e Lindjes, me skuadrën e Milwaukee Bucks, që regjistroi humbjen e dytë radhazi, kësaj here në transfertën e Phoenix Suns, me rezulatin 114-106, ku për vendasit diferencën e bënë Kevin Durant, me 28 pikë, 10 kapje në tabelë e 1 asistim, Bradley Beal, me 25 pikë, 10 kapje në tabelë e 3 asistime, si dhe Devin Booker, me 32 pikët e tij, duke mos lejuar “gjigantit” grek, Giannis Antetokounmpo, i cili realizoi plot 34 pikë, 10 kapje në tabelë e 6 asitime, të bënte diferencën e madhe, në këttë përballje, e cila dërgon Bucks, në vendin e 4-t të renditjes, shumë larg Celtics të vendit të parë.

Mirëpo, përveç zhgënjimeve pati edhe performanca magjike, me skuadrën e Dallas Mavericks që i është rikthyer fitoreve radhazi, teksa kësaj radhe mundi në transfertë, Brooklyn Nets, me rezultatin 119-107. Nuk kishte si të mungonte me protagonizmin e tij slloveni Luka Doncic, me pothuajse tre shifra dopio, teksa arriti të realizonte, 35 pikë, 18 kapje në tabelë e 9 asistime, ndërsa nuk mungoi as “ndihma” nga shoku i tij i skuadrës, Kyrie Irving, i cili realizoi plot 36 pikë.

Ndërkaq, në përballje të tjera, të mbrëmjes, Indiana Pacers mundi Houston Rockets, me rezultatin 132-129, Miami Heat fitoi në “shtëpi” ndaj Orlando Magic, me rezultatin e thellë 129-95, ndërsa skaudra e New York Knicks mundën “Arinjtë” e Memphis Grizzlies, me rezultatin 123-113. /i.m /abcnews.al