Ndërsa Kombet e Bashkuara po zhvillojnë Asamblenë e Përgjithshme në Nju Jork, edhe vendet partnere të NATO-s janë mbledhur, pas një incidenti të rëndë në Evropën Lindore.
Estonia thirri një takim urgjent të NATO-s këtë mëngjes, pasi tre avionë luftarakë rusë shkelën hapësirën e saj ajrore për 12 minuta, të premten që kaloi. Si reagim, Estonia aktivizoi Nenin 4 të traktatit të NATO-s, i cili parashikon konsultime të menjëhershme mes aleatëve në rast kërcënimesh për sigurinë.
Pas mbledhjes, NATO publikoi një deklaratë zyrtare ku dënonte shkeljen ajrore, duke e quajtur pjesë e një “sjelljeje gjithnjë e më të papërgjegjshme nga Rusia.”
Gazetarja për siguri dhe mbrojtje, Deborah Haynes, thekson:
“NATO po e vë Rusinë përpara një paralajmërimi serioz. Kjo është deklarata më e qartë deri tani që Aleanca do të reagojë ndaj shkeljeve të tjera.”
Reagimi i NATO-s: “Përgjigjja do të vijë”
Në deklaratën e saj, NATO kujtoi se kjo është hera e dytë brenda javës që aleatët janë mbledhur nën Nenin 4 për shkak të veprimeve të Rusisë.
“Rusia mban përgjegjësi të plotë për këto veprime që përshkallëzojnë situatën, rrisin rrezikun e llogaritjeve të gabuara dhe rrezikojnë jetë njerëzish. Këto veprime duhet të ndalen,” thuhej në deklaratë.
Ajo vazhdon me një mesazh të prerë për Kremlinin:
“Rusia nuk duhet të ketë asnjë dyshim: NATO dhe aleatët do të përdorin, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, të gjitha mjetet ushtarake dhe joushtarake të nevojshme për të mbrojtur veten dhe për të zmbrapsur çdo kërcënim nga çdo drejtim. Do të përgjigjemi në kohën, vendin dhe mënyrën që ne zgjedhim. Angazhimi ynë ndaj Nenit 5 është i palëkundur.”
NATO gjithashtu theksoi se këto provokime nuk do t’i largojnë aleatët nga mbështetja ndaj Ukrainës, duke e cilësuar sigurinë e saj si të lidhur ngushtë me sigurinë e aleancës. / abcnews.al /

