NATO mblidhet në SHBA/ Ekspertja: Ndihma ndaj Ukrainës nuk duhet të revokohet. Kërcënimet nga Kina, ekonomike dhe kibernetike

schedule17:43 - 9 Korrik, 2024

schedule 17:43 - 9 Korrik, 2024

Ekspertja e marrëdhënieve ndërkombëtare, Juxhina Sotiri thotë se një nga temat e diskutimit në samitin e NATO-s në Uashington, është edhe kapja e pragut 2% për të gjitha vendet e aleancës ushtarake.

Në një intervistë për “Newsline” në ABC News, Sotiri u shpreh se në SHBA, diskutohet se si ndihma për Ukrainën, të mos revokohet nëse ish presidenti amerikan, Donald Trump rikthehet në Shtëpinë e Bardhë.

Sipas Sotirit, kërcënimet tanimë nuk janë vetëm territoriale, si në rastin e Rusisë në Ukrainë, por edhe të sigurisë apo kibernetike, ku përfshihet Kina.

“Në fakt, në agjendën e këtij samiti historik, ajo ku pritet të vihet theksi sërish është tek ndarja e barrës financiare. Një nga problemet, është ndarja financiare, 2% është pragu që të gjitha shtetet duhet ta kenë superuar. Jemi mbi 25 shtete që e kanë superuar 2%, në fund të 2024, synohet kapja e këtij pragu. Duket që me konfliktet e fundit, kemi rikthim te mbrojtja dhe siguria. Jo vetëm ajo çka ndodhi dy ditë më parë në Ukrainë nga sulmi i Rusisë, disa javë më parë, u fol për riforcimin e politikave financiare për mbrojtjen e Ukrainës. E rëndësishme dhe që po flitet në SHBA, është si ta bëjmë ndihmën financiare, të mbrojtur nga një rikthim potencial i Trump, që e gjithë ndihma të mos revokohet nga një presidencë potenciale e Trumpit. Ndihma është edhe nga vendet aleate të NATO-s. Ndihma është në trend rritje. Ajo që në agjendë është e vendosur, duket sikur të gjitha kërcënimet nuk janë vetëm territoriale, por edhe kërcënime për sigurinë, kibernetike. Kina nuk po tregon vetëm mbështetje ndaj Rusisë, por shkon përtej Paqësorit. Shumë vende të Amerikës Latine po ndihmohen ekonomikisht. Më e rëndësishme që Evropa duhet të kuptojë, është që NATO nuk është vetëm SHBA. Është samiti i fundit për Stoltenberg, do të kemi një kryetar të ri, Mark Rutte. Pritet të jetë një neociator shumë i mirë, sikurse njihet në politikën ndërkombëtare”, theksoi ajo./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!