Liderët e 32 vendeve anëtare të NATO-s do të mblidhen më 7 dhe 8 korrik 2026 në Kompleksin Presidencial Beştepe në Ankara, në një samit që pritet të jetë vendimtar për të ardhmen e Aleancës në një periudhë të tensionuar të sigurisë globale.
Kjo është hera e dytë që Turqia organizon një Samit të NATO-s, pas atij të mbajtur në Stamboll në vitin 2004. Samiti zhvillohet në një kohë kur lufta në Ukrainë vazhdon, situata në Lindjen e Mesme mbetet e paqëndrueshme dhe aleatët po kërkojnë që Evropa të marrë një rol më të madh në garantimin e sigurisë së saj.
Sipas NATO-s, në qendër të diskutimeve do të jenë forcimi i mbrojtjes kolektive, zbatimi i planit historik për rritjen e investimeve në mbrojtje deri në 5 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), si dhe mënyra se si këto investime do të përkthehen në rritje të prodhimit ushtarak, bashkëpunim industrial dhe prokurime të përbashkëta mes vendeve aleate.
Një tjetër temë kyçe do të jetë mbështetja afatgjatë për Ukrainën, me NATO-n që e konsideron sigurinë e Ukrainës të lidhur drejtpërdrejt me sigurinë e Aleancës. Në rendin e ditës pritet të përfshihen gjithashtu planifikimi i mbrojtjes, objektivat e shpenzimeve ushtarake dhe ndarja e barrës mes vendeve anëtare.
Përveç takimit të liderëve, më 7 korrik do të mbahet edhe Forumi i Industrisë së Mbrojtjes, ku përfaqësues të qeverive, NATO-s dhe kompanive të industrisë ushtarake do të diskutojnë investimet, inovacionin dhe zgjerimin e kapaciteteve prodhuese. Motoja e forumit është: “Nuk ka mbrojtje të fortë pa një industri të fortë të mbrojtjes.”
Samiti i Ankarasë pritet të shërbejë si një demonstrim i unitetit të aleatëve përballë sfidave të reja gjeopolitike dhe të përcaktojë drejtimin e politikave të NATO-s në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë për vitet në vijim.
Telegrafi do të përcjell nga afër këtë ngjarje të rëndësishme.



