Në një kohë kur tensionet mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit janë rritur që kur Donald Trump mori detyrën, administrata amerikane po punon për një projekt për të frenuar ambicjet e Republikës Islamike duke bashkuar vendet arabe në një aleancë të quajtur paraprakisht NATO-ja Arabe.
Administrata amerikane po çon përpara një projekt për krijimin e një aleance politiko-ushtarake mes 6 shteteve të Gjirit Arab, Egjiptit dhe Jordanisë për t’i bërë ballë ekspansionit të Iranit në Lindjen e Mesme. Shtëpia e Bardhë dëshiron të shohë një bashkëpunim më të thellë mes vendeve në fjalë në aspektin e përgatitjes ushtarake, armatimit, në luftën kundër terrorizmit, por edhe në përforcimin e lidhjeve diplomatike dhe ekonomisë rajonale.
Burime zyrtare të cituara nga agjencia e lajmeve “Reuters” kanë deklaruar se Uashingtoni dhe Lindja e Mesme e kanë quajtur projektin “NATO-ja Arabe”, e përbërë nga aleatë të myslimanëve sunitë. Por krijimi i saj ka gjasa që të thellojë tensionet ekzistuese mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit shiit.
Shpresa e administratës amerikane është që përpjekjet për atë që njihet si Aleanca Strategjike e Lindjes së Mesme mund të diskutohet në një samit të parashikuar të mbahet më 12 tetor në Uashington. Zyrtarët sauditë e ngritën idenë për një traktat sigurie pak përpara se Trump të vizitonte Arabinë Saudite vitin e kaluar, por ideja nuk gjeti mirëkuptimin e pritur.
Megjithatë, burime nga Shtëpia e Bardhë kanë deklaruar se stafi i presidentit vijon punën mbi këtë projekt prej disa muajsh; ndërsa zyrtarë të vendeve arabe kanë zgjedhur të mos bëjnë komente./abcnews.al