NATO ka vendosur këtë të martë dëbimin e 7 diplomatëve rusë dhe reduktimin e misionit të Moskës pranë Aleancës. Sekretari Jens Stoltenberg ka deklaruar se ky është një mesazh i qartë për Rusinë, se veprimet e saj nuk do kalojnë pa u ndëshkuar.
NATO ka deklaruar se do të dëbojë 7 diplomatë rusë, si përgjigje ndaj sulmit me agjent nervor ndaj ish-agjentit Sergei Skripal në Britaninë e Madhe. Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës së Atlantikut të Veriut, Jens Stoltenberg ka thënë në një konferencë shtypi se kjo lëvizje është një mesazh i qartë për Rusinë, se veprimet e saj kanë “kosto dhe pasoja”.
“Kjo është një përgjigje ndërkombëtare e gjerë dhe e koordinuar dhe në kuadër të saj NATO është i unifikuar për të marrë veprime të tjera”, ka deklaruar Stoltenberg.
Në vijim numri një i organizatës ndërkombëtare të sigurisë ka saktësuar se këtë të martë ka anuluar qëndrimin e 5 zyrtarëve rusë në NATO dhe se do të ndalojë akreditimin për tre të tjerë.
“Gjithashtu Këshilli i Aleancës do të reduktojë numrin e diplomatëve rusë në NATO me 10 njësi, duke e çuar atë në 20. Ky është një mesazh i qartë për Rusinë se ka kosto dhe pasoja për sjelljen e saj të rrezikshme e të papranueshme”, ka thënë Stoltenberg.
Të 25 vendet anëtare të NATO-s kanë dëbuar diplomatë rusë në ditët e fundit, përfshirë Shqipërinë që dëboi dy ditën e hënë, duke treguar solidaritet ndaj Mbretërisë së Bashkuar. Ish-oficeri i shërbimeve sekrete ruse Sergei Skripal dhe e bija, Julia, u helmuan më 4 mars në Salisburi, në jug të Anglisë, me një agjent nervor.
Autoritetet britanike akuzuan Rusinë, e cila nga ana e saj ka mohuar çdo përgjegjësi dhe më herët gjatë së martës akuzoi Shtetet e Bashkuara se po ushtrojnë presion ndaj Bashkimit Europian për të dëbuar diplomatët rusë./abcnews.al