NATO do të rrisë ndarjen e inteligjencës dhe do të përmirësojë mbrojtjen e infrastrukturës kritike në dritë të akteve “armiqësore” të sabotimit që vijnë nga Rusia dhe Kina, tha shefi i aleancës ushtarake perëndimore, Mark Rutte.
“Në vitet e fundit, Rusia dhe Kina kanë tentuar të destabilizojnë shtetet tona [anëtarët e NATO-s] me akte të sabotimit, sulme kibernetike, dezinformata dhe kanë përdorur shantazh energjetik për të na frikësuar”, tha Rutte për gazetarët më 3 dhjetor.
“Aleatët e NATO-s do të vazhdojnë të qëndrojnë së bashku në dritë të këtyre kërcënimeve përmes një sërë masash, përfshirë ndarjen më të madhe të inteligjencës dhe mbrojtjes më të mirë të infrastrukturës kritike”, shtoi ai.
Ministrat e Jashtëm të NATO-s takohen në Bruksel këtë javë dhe pritet të dalin me një strategji të re për t’u përballur me kërcënimet hibride – term që përfshin propagandën, ndërhyrjen politike, sabotimin e infrastrukturës kritike dhe taktika të tjera që shkojnë përtej domenit konvencional ushtarak.
Zyrtarët perëndimorë të sigurisë kanë thënë se zjarret në depo të kompanive të transportit në Britani, Gjermani dhe Poloni në korrik ishin pjesë e një komploti rus për të shkaktuar shpërthime në transportin ajror të mallrave për në Shtetet e Bashkuara.