Nations League/ Italia mund me “poker” Izraelin, Franca shpëton me 10 lojtarë fitoren në Belgjikë

schedule22:46 - 14 Tetor, 2024

schedule 22:46 - 14 Tetor, 2024

Mund të thuhet me plot gojë se ishin përballje të denja për rankun e elitës.

Italia dhe Franca kanë vijuar të regjistrojnë sukseset e radhës në UEFA Nations League, me “Të Kaltërit” e Luciano Spalletti që mundën 4-1 Izraelin, ndërsa “Gjelat” e Deschamps mundën me rezultatin 2-1 Belgjikën, në “shtëpinë” e këtyre të fundit.

Kështu, në “Stadio Friuli” të Udines, siç theksuam edhe më sipër katër herë kampionët e botës arritën një fitore me goladë ndaj Izraelit, me golat që erdhën nga Retegui, Frattesi e Di Lorenzo, me këtë të fundit që shënoi një dopietë, ndërsa golin e nderit për miqtë e shënoi Abu Fani.

Spektakolare ishte edhe përballja në stadiumin “King Baudouin” të Brukseli, me Francën që arriti të siguronte fitoren edhe pse luajti për rreth 20 minuta me 10 lojtarë, pas daljes me të kuqe të Tchouameni në minutën e 76’-të.

Pavarësisht rezultatit të parët që “flirtuan” me golin ishin “Djajtë” vendas, mirëpo nga pika e bardhë e penalltisë Youri Tielemans gaboi, duke mos gjetur dot avantazhin, gabim të cilin nuk e përsëriti Kolo Muani në të 35’-n minutë, duke ekzekutuar mjeshtërit 11-metërshin e tij, për t’i dhënë fitoren francezëve.

Megjithatë avantazhi francez zgjati vetëm 13 minuta, me “bomberin” e Leipzig, Lois Openda, i cili shfrytëzoi më së miri një pasim të Castagne për të barazuar shifrat në sekondat e fundit të pjesës së parë.

Me fillimin e fraksionin të dytë të lojës nisi edhe dominimi i “Gjelave”, me “fantazistin” e mesfushës, Kouadio Kone, i cili gjeti rrugën e rrjetës në minutën e 60’-të, mirëpo pas një rishikimi të aksionit me anë të sistemit VAR goli rezultoi i pavlefshëm, duke mbajtur sfidën në baraspeshë edhe për dy minuta të tjera me “yllin” e PSG, Randal Kolo Muani, i cili shënoi golin e dytë personal dhe të fitores për Francën në minutën e 62’-të.

Falë këtyre rezultateve, Italia vijon të mbetet në vendin e parë të Grupit A2, me “Të Kaltërit” që ndodhen në kuotën e 10 pikëve, 1 më shumë se Franca e vendit të dytë, ndërsa Belgjika dhe Izraeli zënë vendet e tretë dhe të katërt me nga 4 dhe 0 pikë. /i.m /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!